Presidenti polak vë veto ndaj projektligjeve për përmirësimin e të

0%

Presidenti i Polonisë ka përdorur të premten () veton ndaj dy projektligjeve që do të përfshinin “kontrata bashkëjetese” për çiftet që jetojnë së bashku, duke i goditur çiftet e së njëjtës gjini, në një nga vendet e pakta të Bashkimit Europian me të drejta të kufizuara për personat LGBT, ka raportuar Reuters .

Kryeministri Donald Tusk e ka marrë detyrën më 2023 me zotimin për zbatimin e reformave mbi abortin dhe të drejtat LGBT, por përçarjet brenda koalicionit të tij të gjerë pro-europian, si dhe fuqitë e vetos së presidentit nacionalist, Karol Nawrocki, nënkuptojnë se ai ka pasur vështirësi t’i mbajë fjalët.

Projektligjet mbi “statusin e personit më të afërt në një marrëdhënie dhe marrëveshjen e bashkëjetesës” do të kishin lejuar dy të rritur të lidhnin marrëveshje që rregullonte çështje të tilla, si të drejtat e pronës së përbashkët, qasja në informacionin mjekësor dhe çështjet që kanë të bëjnë me varrimin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Projektligjet kishin siguruar mbështetje të krejt koalicionit qeverisës, përfshirë partinë konservatore PSL, e cila kish refuzuar t’i përkrahte propozimet e mëparshme, për të cilat druanin se do ta minonin institucionin e martesës. Megjithatë, Nawrocki, aleat i partisë nacionaliste opozitare, Ligj e Drejtësi (PiS), ka thënë se projektligjet prapë shkojnë tepër larg.

“Këto propozime krijojnë një institucion të ri dhe të formalizuar të së drejtës familjare, të pajisur me një katalog të gjerë të drejtash të ngjashme me ato të martesës”, ka thënë ai në një deklaratë të regjistruar.

“Si mbrojtës i Kushtetutës, nuk mund të pranoj një zgjidhje që do të çonte në humbjen e statusit të veçantë të martesës, të përcaktuar në Nenin 18 të Kushtetutës si bashkim i një burri dhe një gruaje nën mbrojtjen dhe kujdesin e Republikës së Polonisë”.

Tusk iu përgjigj me zemërim vendimit të Nawrockit, duke shkruar në X: “Vetoja presidenciale është shprehje përbuzjeje për njerëzit dhe të drejtën e tyre për lumturi dhe jetë normale”.

Qeverisë do t’i duhej një shumicë prej tre të pestash – me të paktën gjysmën e ligjvënësve që merrnin pjesë në votim – për ta përmbysur veton, por me partitë nacionaliste të opozitës që kundërshtojnë projektligjet, kjo do të ishte praktikisht e pamundshme që të arrihej.

Katarzyna Kotula, zyrtare qeveritare që mbikëqyr çështjet e barazisë, ka thënë se Nawrocki “ua ka kthyer shpinën dy milionë njerëzve që jetojnë sot në marrëdhënie informale”.

Meqë Polonia tani njeh martesat e së njëjtës gjini të regjistruara jashtë vendit për shkak të vendimit nga gjykata më e lartë e BE-së, Kotula ka thënë se tani do të përqendrohet që të sigurohet që këto çifte të kenë qasje në krejt përfitimet e mundshme.

Fushata Kundër Homofobisë (KPH) e Polonisë ka deklaruar se projektligjet, ndaj të cilave Nawrocki përdori veton, ishin “thjesht një fragment i versionit të parë të dokumentit, i cili merrej me partneritetet civile”. “Vetoja e sotme e projektligjit, megjithatë, tregon se edhe minimumi absolut i të drejtave që projektligji kishte për qëllim të ofronte është shumë për presidentin”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo