Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar një reagim më të fuqishëm të BE-së ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Në letrën drejtuar Kallasit, Konjufca e ka cilësuar deklaratën e ministres serbe si një “lavdërim të qëllimshëm të krimeve të luftës”, nxitje të urrejtjes dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, deklaratat e një ministreje në detyrë nuk mund të trajtohen si një gafë e zakonshme, pasi intervista e Paunoviqit, sipas Konjufcës, përmbante mesazhe revizioniste dhe armiqësore që dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Konjufca ka shprehur pakënaqësi edhe me reagimin fillestar të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si të vonuar dhe të kufizuar. “Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik”, thuhet në letrën e Konjufcës.
Në dokumentin dërguar Përfaqësueses së Lartë të BE-së, ministri në detyrë ka kërkuar që Bashkimi Evropian: të dënojë publikisht dhe qartë deklaratën e ministres Paunoviq, t’ua rikujtojë autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papajtueshme me vlerat evropiane dhe procesin e anëtarësimit, ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik me Serbinë dhe procesit të integrimit evropian.
Konjufca i ka kërkuar gjithashtu Kallasit një takim ose bisedë telefonike sa më parë, për të diskutuar këtë çështje. Në fund të letrës, ai ka ritheksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, duke theksuar se spastrimi etnik dhe ndëshkimi kolektiv janë të papranueshme në çdo formë.
I have written to High Representative @kajakallas regarding recent statements by a Serbian government minister advocating ethnic cleansing.
Upholding European values requires a clear and principled response whenever rhetoric that glorifies war crimes or ethnic cleansing emerges. pic.twitter.com/AYROXFOD7D — Glauk Konjufca (@KonjufcaGlauk) July 17, 2026 Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
