Legjenda e boksit dhe ish-kampioni i dyfishtë i botës në kategorinë pendël, Jose Legra, ka ndërruar jetë të mërkurën në Madrid në moshën 82-vjeçare, njoftoi Këshilli Botëror i Boksit (WBC). I njohur me nofkën “Puma nga Barakoa”, për shkak të shpejtësisë së tij dhe prejardhjes kubane, Legra la gjurmë të pashlyeshme në historinë e boksit botëror, sidomos gjatë viteve ’60 dhe ’70.
I lindur në Kubë, ai e nisi karrierën profesioniste në vitin 1960. Në moshën 20-vjeçare u shpërngul në Spanjë, duke sjellë me vete bilancin prej 27 fitoresh në 34 meçe. Në Evropë pati një ngritje të jashtëzakonshme, duke regjistruar 60 fitore radhazi gjatë viteve gjashtëdhjetë. Humbjen e vetme nga viti 1963 deri në vitin 1967 ia shkaktoi boksieri uellsian Howard Winstone.
Titullin e parë të madh, atë të kampionit evropian në kategorinë pendël, e fitoi në vitin 1967 me nokaut në rundin e tretë ndaj francezit Yves Desmarets. Legra hyri në histori duke fituar dy herë titullin botëror të WBC-së, në vitet 1968 dhe 1972.
Veçanërisht mbahet mend revanshi ndaj Howard Winstone në korrik të vitit 1968, kur e rrëzoi dy herë kundërshtarin që në rundin e parë, ndërsa dueli u ndërpre për shkak të lëndimit të Winstone. Presidenti i WBC-së, Mauricio Sulaimán, shprehu ngushëllime për familjen dhe miqtë e Legra-s, duke shkruar: “Pusho në paqe, kampion.”
José Legra u tërhoq nga boksi me bilancin prej 129 fitoresh dhe 11 humbjesh, duke mbetur një nga figurat më të dashura të sportit në Madrid dhe një ikonë e boksit spanjoll.
