Influenceri i bodybuilding-ut, Mailson Araujo, ka ndërruar jetë papritur pak pasi u kthye në shtëpi nga një seancë stërvitore. 35-vjeçari, i cili po përgatitej për një garë të rëndësishme profesionale, humbi jetën të hënën në mbrëmje në banesën e tij në Alagoinhas, Brazil. Sipas raportimeve, sapo u kthye nga palestra ai u ndje keq dhe telefonoi prindërit për ndihmë.
Nëna e tij, e cila është infermiere, i dha ndihmën e parë duke kryer reanimim kardiopulmonar (CPR), por pavarësisht përpjekjeve të saj, zjarrfikësve dhe ekipeve të emergjencës që mbërritën në vendngjarje, ai nuk mundi të shpëtohej, raporton Mirror.
Mailson Araujo, atlet profesionist në kategorinë Men’s Physique dhe me më shumë se 32 mijë ndjekës në Instagram, u shpall i vdekur në banesën e tij. Vetëm disa orë para vdekjes, ai kishte publikuar në rrjetet sociale video dhe fotografi nga stërvitja në palestër dhe një seancë fizioterapie. Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.
