Ekskluzive: Krimet Ekonomike zbarkojnë në rajonin e Gjakovës – në

0%

Njësitë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike kanë zhvilluar të enjten një operacion në rajonin e Gjakovës, ku në fokus të veprimeve hetimore janë parkingjet private që dyshohet se ushtrojnë veprimtari ekonomike në kundërshtim me ligjin, mëson Sinjali nga burime të sigurta.

Sipas të njëjtave burime, operacioni synon evidentimin dhe verifikimin e subjekteve që dyshohet se operojnë pa regjistrim të biznesit, pa licencat e nevojshme, pa pajisje fiskale dhe pa përmbushjen e detyrimeve tatimore, duke ngritur dyshime për shmangie të tatimeve dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë ekonomike.

Burimet bëjnë të ditur se një numër i konsiderueshëm parkingjesh private në Kosovë funksionojnë pa përmbushur standardet minimale ligjore për ushtrimin e aktivitetit, ndërsa situatë e ngjashme, sipas dyshimeve që po hetohen, është evidentuar edhe në rajonin e Gjakovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në kuadër të këtij aksioni, hetuesit pritet të verifikojnë statusin juridik të operatorëve, mënyrën e arkëtimit të pagesave, deklarimin e të hyrave dhe përmbushjen e obligimeve fiskale. Nëse konstatohen shkelje, pronarët e këtyre bizneseve mund të përballen me procedura penale dhe administrative, varësisht nga natyra e gjetjeve.

Sipas informacioneve të Sinjalit, në këtë operacion është paraparë të ketë koordinim edhe me institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e aktivitetit ekonomik, përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës dhe inspektoratet kompetente, me qëllim të evidentimit të të gjitha shkeljeve eventuale.

Sinjali ka tentuar të marrë konfirmim zyrtar lidhur me operacionin, por deri në momentin e publikimit nuk ka pranuar përgjigje nga autoritetet kompetente. Të gjitha pretendimet për shkelje janë në fazën e verifikimit dhe hetimit. Çdo person ose subjekt gëzon prezumimin e pafajësisë derisa përgjegjësia eventuale të konstatohet me vendim të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com