Parlamenti i Ukrainës, i njohur si Verhovna Rada, ka miratuar emërimin e Serhii Koretskyit në postin e kryeministrit të ri të vendit. Për kandidaturën e tij votuan 289 deputetë, duke i dhënë mbështetje drejtuesit të deritanishëm të kompanisë shtetërore të energjisë, Naftogaz.
Koretskyi vjen në krye të ekzekutivit pa përvojë të mëparshme politike, por me më shumë se dy dekada angazhim në sektorin e energjisë dhe në ndërmarrje private. Para drejtimit të Naftogazit, ai kishte udhëhequr edhe kompaninë më të madhe të naftës në Ukrainë, Ukrnafta.
Në fjalimin para deputetëve, kryeministri i ri deklaroi se qeveria do të përqendrohet në furnizimin e forcave të armatosura, forcimin e industrisë së mbrojtjes, ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe mbështetjen e qytetarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë pranë vijës së frontit.
Përgatitja për sezonin e ardhshëm të dimrit dhe mbrojtja e infrastrukturës energjetike pritet të jenë ndër sfidat kryesore të qeverisë së re, në një kohë kur objektet energjetike ukrainase vazhdojnë të jenë në shënjestër të sulmeve ruse.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka kërkuar që kabineti i ri të përqendrohet gjithashtu në menaxhimin më efikas të ndihmës ndërkombëtare dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët e Ukrainës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
