Në ambientet e Open Art Gallery në Prishtinë është hapur ekspozita më e re e artistit pamor Arianit Lakna, e titulluar “anGjelus Novus”, e kuruar nga Artrit Bytyçi dhe e shoqëruar me muzikë nga Zwada.
Ekspozita sjell një seri veprash që ndërtohen rreth figurës së gjelit, një motiv i njohur në krijimtarinë e Laknës, i cili këtë herë vendoset në dialog me veprën ikonike “Angelus Novus” të Paul Klee dhe interpretimin filozofik të Walter Benjamin.
Megjithatë, “anGjeli i Ri” i Arianit Laknës shkon përtej kësaj reference, duke krijuar një simbolikë të re që mishëron punën, përgjegjësinë dhe përkushtimin. Një nga veprat qendrore të ekspozitës, “Zgjohu me Gjela”, paraqet një gjel të vendosur përballë një grumbulli të madh obligacionesh.
Edhe pse sfidat vazhdojnë të shtohen, ai qëndron krenar, i palëkundur dhe nuk i shmanget përgjegjësive. Sipas konceptit kuratorial, ky gjel nuk ikën nga detyrimet, pasi ka mposhtur “jastëkun e përtacisë”. Ai nuk frikësohet nga stuhia e përditshme e obligimeve, por rilind çdo mëngjes me bindjen se vetëm puna është rruga drejt përparimit.
Edhe kur barra e përgjegjësive rrezikon ta mbulojë, ai nuk pret që të tjerët t’ia zgjidhin problemet, por i hyn punës menjëherë. Në këtë mënyrë, “anGjelus Novus” paraqitet si një figurë simbolike e re, një hyjni moderne që mishëron vlerat e një utopie të krijuar nga Arianit Lakna.
Përmes këtyre veprave, artisti ofron një reflektim mbi jetën e përditshme, disiplinën, përgjegjësinë dhe fuqinë transformuese të punës. Ekspozita, e hapur për publikun në Open Art Gallery, fton vizitorët të përjetojnë një dialog mes artit bashkëkohor, filozofisë dhe realitetit të përditshëm, përmes një gjuhe vizuale origjinale dhe thellësisht simbolike.
