Diskutim në Mitrovicë të Veriut: A do të rikthehen në punë gjyqtarët

0%

Rikthimi në vendet e tyre të punës i prokurorëve dhe gjyqtarëve që kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në veri të Kosovës në vitin 2022 ishte temë diskutimi në konferencën e organizuar nga Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC), të enjten, më , në Mitrovicë të Veriut.

Shefi i Seksionit të Drejtësisë në UNMIK, Andrea Lako, tha se “ka thashetheme që prokurorët dhe gjyqtarët do të kthehen”, me arsyetimin se “komuniteti ka nevojë për ta”. Optimist se prokurorët dhe gjyqtarët do të kthehen në zyrat e tyre më 1 shtator të këtij viti u shpreh drejtori i ACDC-së, Dushan Radakoviq. “Është premtuar se kryetari i KGJK-së të vijë këtu në shtator.

Unë pres që njerëzit të kthehen këtu më 1 shtator. Janë 130 njerëz që kanë dhënë dorëheqje në vitin 2022. Nga 24 gjyqtarë që kanë punuar, 15 do të kthehen. Atyre u nevojitet përkrahje në çdo aspekt” – tha Radakoviq.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Duke theksuar se kanë zhvilluar një takim të hapur me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili, sipas tij, ka kaluar mirë, ai tha se frikësohet nga ndikimi i pushtetit të Kosovës në procesin e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Unë frikësohem nga pushteti qendror (politik) jo nga KGJK” – deklaroi Radakoviq.

Avokati, njëherësh ish-kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, tha se ky kthim është i nevojshëm dhe duhet të ndodhë sa më shpejt pasi, sipas tij, do të ndikonte në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe në integrimin e serbëve. “Uroj dhe shpresoj që dorëheqjet mos të aprovohen dhe të jetë një kthim i mbarë jo për politikën por për komunitetin.

Dhe me kthimin e tyre sigurisht që edhe punët do të ecin më mirë. Ka mungesë të prokurorëve dhe lëndët mbesin me vite, njësoj ndodh edhe me gjykatën” – tha avokati. Iniciativën e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë për të dhënë dorëheqje në vitin 2022 Syla e cilësoi si vendim politik të Listës Serbe dhe të qëndrimit zyrtar të Beogradit.

“Ka qenë vendim politik edhe i Listës Serbe edhe i qëndrimit zyrtar të Beogradit që ata të lëshojnë punën e tyre para katër vitesh, gjë që ka qenë gabim. Është më shumë interes i tyre që ta numërojnë sukses të tyre edhe kthimin tani” – potencoi Syla.

Për dallim nga parafolësit, avokati Lubomir Pantoviq tha se nuk beson që gjyqtarët dhe prokurorët do të kthehen, ndonëse tha se do ta dëshironte një gjë të tillë. “Nuk besoj që më 1 shtator. Sistemi politik duhet të largohet nga sistemi gjyqësor. Unë mendoj se një dëshirë e madhe në këtë drejtim nuk do ekzistojë.

Besoj se shumë njerëz mendojnë se gjyqtrarët dhe prokurorët e kthyer do të jenë me sistem të Beogradit. Të gjithë e dini që largimi i tyre nuk ka qenë aspak i kuptueshëm dhe më së shumti i kanë shkaktuar dëm komunitetit serb në Kosovë” – u shpreh Pantoviq.

Se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Sistemi Prokurorial nuk ua kanë aprovuar dorëheqjet, duke ua lënë derën hapur për rikthim, e tha Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi. “Ajo çka po tentojmë të bëjmë është respektimi i Kushtetutës. Gjyqësori i takon të gjithëve dhe nuk ka ndarje të komuniteteve.

KGJK dhe KPK e kanë menaxhuar disi situatën edhe pse ka rënë dukshëm numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kthimi i tyre është i domosdoshëm në kuptim që mos të humbë gjithë ajo arritje në integrimin e tyre dhe qytetarët të kenë besim te gjyqësori” – theksoi ai.

Shala shtoi se çështja e rikthimit “nuk guxon të jetë pjesë e diskutimit në Bruksel”, sepse, sipas tij, vetëm Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë kompetencë për ta trajtuar atë.

KALLXO.com raportoi se në nëntor të vitit 2022, dhjetë prokurorë serbë, dhjetëra gjyqtarë dhe 22 punonjës të administratës kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në veri të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor (KGJK) dhe ai Prokurorial (KPK) fillimisht i pezulluan shqyrtimet e dorëheqjeve, ndërsa ministrja e Drejtësisë atëkohë, Albulena Haxhiu, kërkoi pranimin e tyre dhe hapjen e konkurseve për staf të ri.

Burimi: Kallxo