Basha: Po vazhdon zgjerimi i rrugës QMI–Lipjan

0%

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për zgjerimin e rrugës QMI–Lipjan (N25), duke e cilësuar projektin si një investim të rëndësishëm për përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Përmes një postimi në Facebook, Basha bëri të ditur se projekti përfshin zgjerimin e një segmenti rrugor me gjatësi prej 3.8 kilometrash, me vlerë kontraktuale prej 6.8 milionë euro. “Po realizohet edhe zgjerimi i rrugës QMI – Lipjan (N25).

Ky projekt, me gjatësi prej 3.8 kilometrash dhe vlerë kontraktuale prej 6.8 milionë eurosh, është një investim i rëndësishëm për përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë në këtë segment”, ka shkruar Basha. Ai tha se gjatë realizimit të punimeve janë paraqitur disa sfida që lidhen me infrastrukturën nëntokësore, përfshirë rrjetin e ujësjellësit dhe mungesën e kanalizimit fekal.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Gjatë realizimit të punimeve janë paraqitur disa sfida që lidhen me infrastrukturën nëntokësore, si ujësjellësi dhe mungesa e kanalizimit fekal. Për adresimin e tyre, jemi në diskutim dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjithë akterët përgjegjës, në mënyrë që rruga të realizohet me cilësi dhe brenda afatit të paraparë”, ka theksuar ai.

Ministri në detyrë shtoi se institucionet do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër projektin, me synim tejkalimin në kohë të pengesave që mund të shfaqen gjatë punimeve. “Pengesa gjatë punimeve mund të ketë, por do të qëndrojmë afër projektit dhe do t’i adresojmë problemet me kohë, me synimin që punimet të përfundojnë sa më shpejt dhe sa më mirë”, ka përfunduar Basha.

Burimi: Telegrafi