Mbytja e tragetit me 8 viktima në Qipro, i mbijetuari tregon momentet

0%

Të mbijetuarit e mbytjes së një trageti pasagjerësh në brigjet e Kyrenias, në Qipro, kanë rrëfyer momentet e panikut dhe kaosit në bordin e mjetit lundrues, ndërsa kanë ngritur akuza të rënda ndaj ekuipazhit. Deri tani raportohet për 8 viktima, ndërsa dhjetëra persona rezultojnë ende të zhdukur. Në total, në bord ndodheshin rreth 267 persona, ndërsa qindra të tjerë janë shpëtuar.

Një prej të mbijetuarve, Ibrahim Kanbolat, ka treguar se gjithçka ndodhi shumë shpejt, pasi uji nisi të futej në mjet. Sipas dëshmisë së tij, kur pasagjerët vunë re problemin dhe njoftuan ekuipazhin, përgjigjja që morën ishte se një situatë e tillë ishte “normale” dhe se ata ishin mësuar me të.

Kanbolat ka përshkruar momentet e tmerrit, duke thënë se uji nisi të depërtonte në mënyrë të pakontrolluar dhe më pas një pjesë e anës së mjetit u dëmtua. “Anija filloi menjëherë të anohej”, ka rrëfyer ai, duke shtuar se një prej anëtarëve të ekuipazhit shkoi në pjesën e pasme dhe u kërkoi pasagjerëve të lëviznin në atë drejtim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por, sipas tij, nuk iu shpërndanë jelekë shpëtimi pasagjerëve. “Secili shpëtoi me forcat e veta”, është shprehur i mbijetuari. Situata ishte edhe më e rëndë për shkak se në bord kishte fëmijë dhe persona që nuk dinin të notonin. Kanbolat ka treguar gjithashtu se anëtarët e ekuipazhit ishin me origjinë pakistaneze dhe, sipas tij, kishte vështirësi në komunikimin me pasagjerët.

“Xhamat ishin thyer dhe anija po anohej. Edhe tani nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi. Jemi në gjendje shoku ”, ka rrëfyer ai. I mbijetuari tha se në fund u shpëtua nga një mjet privat, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar se çfarë shkaktoi mbytjen dhe nëse kishte mangësi në masat e sigurisë.

Ndërkohë, në portin e Kyrenias janë mbledhur familjarët e viktimave dhe personave që rezultojnë ende të zhdukur. Pamjet nga vendi tregojnë skena të rënda emocionale, me familjarë që qajnë dhe presin informacion për fatin e të afërmve të tyre.

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për gjetjen e personave të zhdukur dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë.

Burimi: Bota Sot