Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka nënshkruar një vendim lidhur me standardet e komunikimit me qytetarët, gjersa me këtë vendim, çdo kërkesë, ankesë apo parashtresë do të regjistrohet dhe qytetarët do të marrin përgjigje ose informatë për statusin e lëndës brenda 10 ditëve të punës.
Hoti theksoi se respekti për qytetarin është obligim i çdo zyrtari publik. “Që nga dita e parë që kam marrë detyrën e Ministrit, një nga prioritetet e mia ka qenë përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.
Fillimisht, kemi krijuar dhe funksionalizuar kanale të reja komunikimi, duke përfshirë adresat zyrtare për ankesa, kërkesa dhe informata, me qëllim që çdo qytetar ta ketë më të lehtë kontaktin me Ministrinë. Paralelisht, kemi punuar për të ndërtuar një kulturë institucionale ku qytetari ka qasje të drejtpërdrejtë, transparente dhe pa vonesa në komunikim me institucionin.
Në funksion të këtij angazhimi, sot kam nënshkruar një vendim që përcakton standardet e komunikimit me qytetarët në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare. Besoj se administrata publike duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe se Ministria funksionon e ekziston për ta. Dua që çdo qytetar të trajtohet me respekt”, tha ai.
Tutje, bëhet e ditur se me këtë vendim, çdo kërkesë, ankesë apo parashtresë do të regjistrohet dhe qytetarët do të marrin përgjigje ose informatë për statusin e lëndës brenda 10 ditëve të punës. “Nëse përgjigjja nuk mund të jepet brenda këtij afati, qytetarët do të njoftohen për arsyet e vonesës dhe kohën e pritshme të përfundimit të trajtimit”, thuhet më tej.
