Është padrejtësi që shqiptarët të kërkojnë dorëheqjen time, derisa unë për ta po digjem e përvëlohem, si qiriu i Naimit. Bëra gjithçka ta përparoja vendin: E shpika Rilindjen, i polla patronazhistët, isha gati për Open Ballkan, bisedimet me EU i bëra realitet, gjeta investitor strategjik me peshë miliardash, por doli dikush dhe e shpiku Zvërnecin, për të cilin s’kishte dëgjuar njeri.
Kjo nuk ishte rastësi, as nuk lindi vetvetiu. PS i gjeti fajtorët: Greqia dhe Irani ndërhynë që ta ndalnin hovin e përparimit të Shqipërisë. Këtë po e dokumenton edhe enveristi Frrok Çupi, me shkrimet antishqiptare.
Unë nga zemërimi protestuesit i quajta, sorra e korba, algoritme, dërrasë nga truri, çakenj, injorantë, dështakë, delirantë, honxho – bonxho, kurse Balla me fyerje ia tejkaloi edhe shefit të tij, protestuesit i quajti mbeturina sociale e politike, njësoi siç i quanin enveristët në vitet e nëntëdhjeta protestat, jashtëqitjet e kombit etj.
Me fyerje e përçmime taborit të Ramës i janë bashkuar edhe servilët e tij nëpër media e institucione të caktuara, por protestat tashmë kanë marr zjarr. Rama po bindet se ska shpëtim, po nuk po mund ta dorëzoi postin, sëmundje e autokratëve dhe diktatorëve.
Vuçiqi sa e sa herë udhëtonte nëpër tehun e shpatës, sa e sa herë e ka paralajmëruar dorëheqjen, kurse tash ia ka rezervuar vetes postin e kryeministrit, kurse Rama …, të dorëhiqet. A janë në vete shqiptarët, apo të gjithë kanë luajtur mendsh.
Rrugëtimin me Vuçiqin e kishim të përbashkët, planet mbi Kosovën i kishim të përbashkëta, angazhimin ndërkombëtar e koordinonim së bashku, hapat në EU po ashtu i planifikonim së bashku, zgjedhjet i fitonim së bashku, ai në Serbi e unë në Shqipëri, opozitën e luftonim së bashku, shtetin e kishim kapur së bashku, pra funksiononim si ora zvicerane, kurse tash unë ti lë të gjitha këto dhe të iku.
Dhe ku të iku unë, që të gjitha këto i bëra për atdhe, për nënën Shqipëri. Ne kishim edhe një marrëveshje të përbashkët me Vuçiqin: Ose ta mbajmë pushtetin e përhershëm, ose po ramë, të biem së bashku, e tash… Kjo marrëveshja e fundit, po më pengon të dorëhiqem. Nuk mund ti thyej premtimet, nuk mund të mos e mbaj fjalën.
Sikur të kisha punë me shqiptar, do i bëja të gjitha, po kam punë me serbin, i cili na e solli komunizmin në Shqipëri, na e mbolli në koka ideologjinë propagandistike, ta luftojmë armikun e brendshëm dhe të jashtëm dhe me ndihmën e tij e fituam edhe luftën. Kurse tash unë të shkoi e ai të mbetet. Kjo është një kafshatë që skapërdihet, do të thoshte Migjeni.
Luftën do e bëjë deri në fund, të bëhet çfarë të bëhet. Ne dhe ata. Unë kam folur njëherë, për këtë popull jam i gatshëm të vdes. Së fundi ua solla nga Amerika edhe këngëtarin me famë botërore Kanye West, me të vetmin qëllim që shqiptarët këto ditë vape të freskohen, pra po bëjë çfarë është e mundur për ta. Këtë duhet ta vlerësojnë ata, dërrasë nga truri, e jo të kërkojnë dorëheqjen time.
Po më braktisën të gjithë, Ballën do ta kem pas vetes. Kjo më mbanë ende.
