Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur të mërkurën në mbrëmje një mbledhje elektronike, ku ka miratuar disa vendime që lidhen me emërime, shpronësime dhe ndryshime në përbërjen e një komisioni qeveritar. Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë mbledhje është miratuar vendimi për emërimin e Ragmi Dalipit në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin, në interes publik, të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat janë të nevojshme për realizimin e dy projekteve të Komunës së Gjakovës.
Sipas vendimit, bëhet fjalë për administrimin e objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës komunale në zonën Gjakovë-Qytet, si dhe ndërtimin e një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe fshatrat përreth.
Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me zyrtarizimin e gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.
Me këtë ndryshim, Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit është emëruar zëvendësuese e anëtarit të komisionit, duke zëvendësuar Ervina Gashin. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
