Gjendja e lumenjve dhe burimeve ujore në Pellgun e Drinit të Bardhë vazhdon të perceptohet si alarmante nga qytetarët, ndërsa ndotja nga mbeturinat dhe ujërat e zeza të patrajtuara mbeten kërcënimet kryesore për mjedisin dhe furnizimin me ujë.
Këto janë gjetjet e raportit “Pasqyra e Perceptimeve të Qytetarëve për Pellgun Ujor të Drinit të Bardhë në Kosovë”, i prezantuar në konferencën tradicionale “Drini Day 2026”, të organizuar nga organizata Rilindja Gjelbër në Vërmicë.
Sipas raportit, 66 për qind e të anketuarve e vlerësojnë gjendjen e lumenjve dhe burimeve ujore si të dobët ose shumë të dobët, ndërsa vetëm 3 për qind e konsiderojnë atë të mirë.
Ndërkohë, 100 për qind e respondentëve i cilësojnë lumenjtë dhe burimet ujore si të rëndësishme ose shumë të rëndësishme për komunitetin, ndërsa 98.4 për qind e konsiderojnë mbrojtjen e Pellgut të Drinit prioritet për brezat e ardhshëm.
Raporti tregon gjithashtu mungesë të informimit publik, pasi vetëm 8 për qind e qytetarëve deklarojnë se kanë njohuri të plota për Pellgun e Drinit, ndërsa gjysma e tyre kanë njohuri vetëm të pjesshme.
Sipas rezultateve të anketës, 88.7 për qind e të anketuarve e identifikojnë ndotjen nga mbeturinat si sfidën kryesore për lumenjtë, ndërsa 80.6 për qind përmendin ujërat e zeza të patrajtuara.
Në mesin e problemeve të tjera të evidentuara janë degradimi i rrjedhave të lumenjve, mungesa e ndërgjegjësimit mjedisor, shfrytëzimi i tepruar i ujit, humbja e biodiversitetit, aktivitetet e paqëndrueshme turistike dhe ndryshimet klimatike. Raporti evidenton se 61.2 për qind e respondentëve kanë vërejtur ulje të disponueshmërisë së ujit gjatë pesë viteve të fundit.
Po ashtu, 75.8 për qind shprehen të shqetësuar për ndikimin e thatësirave në komunitetet e tyre, ndërsa 72.6 për qind deklarojnë se tashmë kanë përjetuar pasojat e tyre. Kufizimet në furnizimin me ujë janë pasoja më e raportuar, të ndjekura nga tharja e lumenjve dhe burimeve, rritja e kostove të ujit, humbja e vegjetacionit dhe ulja e prodhimit bujqësor.
Raporti tregon gjithashtu mungesë besimi në kapacitetin institucional për menaxhimin e krizave ujore dhe klimatike. Sipas të dhënave, 75.8 për qind e qytetarëve vlerësojnë se institucionet lokale janë pak ose aspak të përgatitura për t’u përballur me thatësirat.
Megjithatë, 75.8 për qind e të anketuarve deklarojnë se janë të gatshëm të kontribuojnë në aktivitete për mbrojtjen e lumenjve dhe burimeve ujore. Gjatë konferencës u theksua se ndotja e Drinit të Bardhë ka karakter ndërkufitar, pasi ndotja e krijuar në Kosovë mund të bartet përgjatë rrjedhës së lumit drejt Shqipërisë.
Pjesëmarrësit kërkuan monitorim të përbashkët, shkëmbim të të dhënave dhe koordinim ndërmjet dy vendeve për mbrojtjen e pellgut ujor.
Ndër rekomandimet kryesore të raportit janë përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave, zgjerimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, monitorimi i vazhdueshëm i cilësisë së ujit, mbrojtja e shtretërve të lumenjve nga ndërhyrjet, forcimi i zbatimit të ligjit, investimet në infrastrukturën ujore dhe restaurimi i ekosistemeve.
Organizatorët vlerësuan se mbrojtja e Pellgut të Drinit të Bardhë nuk është vetëm çështje mjedisore, por lidhet drejtpërdrejt me shëndetin publik, furnizimin me ujë të pijshëm, bujqësinë, ekonominë lokale dhe sigurinë ushqimore, duke kërkuar veprime konkrete dhe të koordinuara nga institucionet.
