Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila la në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Perlleshajn për vrasjen e Martin Canit, ka reaguar babai i të ndjerit. Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se familja nuk është e kënaqur me masën e dënimit, duke theksuar se kishte pritur një vendim më të rëndë për autorin. “Kjo që na ka ndodhur ne mos t’i ndodhë askujt.
Dhimbja jonë është shumë e madhe. Ligjet janë ligje, por ne pretendonim një dënim më të madh. Dënimi është për 2 vepra penale. Mund të dalë sot një i ri mund të vrasë 50 persona sot me një bombë, dhe dënohet 12 vite burg. Siç e dini dhe ju janë 2 rrethana cilësuese. Dhe shyqyr që s’ka pasur fëmijë të tjerë aty. Pretendonim për dënim më të lartë.
Dhimbja jonë është e paimagjinueshme, shumë e madhe”, tha ai. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 18 nëntor të viti 2024. Gjatë një konflikti fizik, Përlleshaj goditi me mjet prerës 14-vjeçarin në afësi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
