Leandro Trossard është zyrtarisht lojtar i Besiktasit. Klubi turk arriti marrëveshjen me Arsenalin të martën, duke i dhënë fund aventurës trevjeçare të sulmuesit belg në Premier League. Sipas mediave britanike, Besiktasi do të paguajë rreth 17 milionë funte për kartonin e tij. Kontrata e Trossard me Arsenalin ishte e vlefshme deri në vitin 2027, me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Vetë klubi londinez konfirmoi se lojtari ka marrë leje të udhëtojë drejt Stambollit për të kryer testet mjekësore. Trossard iu bashkua Arsenalit në janar 2023 nga Brighton dhe la gjurmë të rëndësishme në “Emirates”. Në 174 paraqitje me fanellën e “Gunners” ai shënoi 36 gola në të gjitha garat.
Vetëm sezonin e fundit kontribuoi me 6 gola dhe 6 asistime në 31 ndeshje të kampionatit, duke qenë pjesë kyçe e skuadrës së Mikel Artetës që i dha fund pritjes 22-vjeçare për titullin kampion. Edhe te Brighton më parë, belgu u dallua për shpejtësinë dhe goditjet e tij precize nga krahu.
Me këtë transferim, 31-vjeçari nis një kapitull të ri në Superligën turke, ndërsa Besiktasi siguron një lojtar me përvojë të madhe në Premier League dhe në arenën ndërkombëtare me Belgjikën. Arsenali ndërkohë vazhdon ristrukturimin e repartit ofensiv para nisjes së sezonit të ri.
