Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka formuar komision Ad-hoc për hetimin administrativ lidhur me rastin në Klinikën e Pediatrisë, pas shqetësimeve të ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje gjatë trajtimit të fëmijës së tyre. Ndërkaq, sot është zëvendësuar edhe një pjesë e inventarit të Klinikës.
Pas publikimit të pamjeve lidhur me kushtet brenda Klinikës së Pediatrisë në QKUK, të realizuara nga një nënë gjatë trajtimit të fëmijës së saj, në këtë klinikë janë zëvendësuar 7 shtretër të dëmtuar. Ndërkaq, është bërë e ditur se parashihen edhe përmirësime të tjera të kushteve brenda klinikës, si dhe në klinika të tjera.
“Sot është bërë ndërrimi i disa shtretërve të cilët kanë qenë të dëmtuar. Janë ndërruar me shtretër të rinj, siç e patë edhe vetë. Ishit dëshmitarë të ndryshimeve që janë bërë. Desha t’ju njoftoj se kjo është vetëm fillimi i një projekti i një kontrate të lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit më 10 qershor, për modernizimin e infrastrukturës.
Këtu, konkretisht, bëhet fjalë për furnizimin me inventar nëpër klinika (inventar medicinal”, tha Fisnik Dobra, drejtor i shërbimeve të përbashkëta tekniko-administrative. Për shqetësimet e ngritura, QKUK ka formuar edhe komision ad-hoc për hetimin administrativ lidhur me rastin në Klinikën e Pediatrisë.
“Pas parregullsive të konstatuara dhe verifikimeve të kryera nga ana e QKUK-së, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës, ndërsa punëtori i shërbimeve teknike është suspenduar përkohësisht”.
Sipas QKUK-së, për të mundësuar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër infermierëve.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Alije Keka Sylaj, në një postim në rrjetet sociale ka thënë se mbeten të përkushtuar që çdo shqetësim i ngritur nga prindërit të trajtohet me seriozitet dhe objektivitet. Sipas saj, çdo profesionist që nuk respekton standardet profesionale, etike dhe detyrimet e punës, do të mbajë përgjegjësi.
