Presidentja e gjashtë e Kosovës, Vjosa Osmani, u përfshi në një mision në fund të dhjetëditëshit të parë të korrikut. Duke e shoqëruar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ajo u bë pjesë e bisedimeve të iniciuara nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me synim të arritjes së ndonjë marrëveshjeje për konsolidimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit të sivjetmë.
Takimi me Kurtin u zhvillua pas një periudhe shumë të afërt kur Osmani nuk kishte reshtur së kritikuari qasjen e tij si kryeministër dhe pikërisht në kohën kur kreu i LDK-së po përballet me kërkesat e një pjese të anëtarësisë së partisë, për të dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, për shkak të rezultatit jo të kënaqshëm zgjedhor.
Por pse u zgjodh pikërisht Osmani të ishte pjesë e bisedimeve me Kurtin, kur aktualisht nuk ka ndonjë funksion në strukturat drejtuese të LDK-së? Përgjigjen për këtë nuk e dinë as disa nga deputetët e zgjedhur të kësaj partie.
Arben Gashi, dikur shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë për Kallxo.com se nuk ka informacion se në çfarë kapaciteti apo me çfarë autorizimesh ka marrë pjesë Osmani në takimin me Kurtin. Këtë e ka arsyetuar duke thënë se nuk është i përfshirë në procesin e takimit që është zhvilluar me kryetarin e LVV-së dhe takimeve tjera që pritet të ndodhin.
I pyetur nga Kallxo.com se a e mbështet një marrëveshje potenciale që mund të arrihet mes LVV-së dhe LDK-së, ku pjesë e bisedimeve është Osmani, Gashi ka refuzuar të deklarohet duke thënë se janë çështje që duhet të diskutohen në grup parlamentar dhe më pas të merren vendimet. “Nuk dua të deklarohem për këtë çështje.
Është çështje e brendshme e partisë, për të cilën nuk mund të deklarohem momentalisht.”- ka thënë ai. Më e gjatë në përgjigje ka qenë deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri.
Për Kallxo.com ajo ka thënë se meqenëse nuk është pjesë e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të partisë nuk e di as se çfarë kompetencash i janë dhënë Osmanit në kohën kur është votuar bashkëpunimi mes saj dhe LDK-së. Por, pavarësisht marrëveshjes që mund të arrihet me LVV-në, Ymeri thotë se çdo gjë e shqyrton para se të votoj.
“Çka unë mundem me thënë është që votën e shqyrtoj, pavarësisht prej të gjitha qëndrimeve, një deputet e shqyrton për vete votën që ka me dhënë pro, kundër ose që nuk hyn në sallë. Pra, në parim ka mundur me thënë Abdixhiku që flet në emër të 18 deputetëve, megjithatë votën e shqyrton secili deputet. Pra, po flas për vete, e shqyrtoj, e vendosi unë.”- ka deklaruar ajo.
Nga e hëna () Kallxo.com ka tentuar të marrë sqarime edhe nga deputetë të tjerë të zgjedhur të kësaj partie si: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala dhe Armend Zemaj, por asnjëri nuk ka qenë i qasshëm.
Për të marrë vesh se a e ka autorizuar Osmanin Kryesia e LDK-së që të marrë pjesë në atë takim apo ka qenë vendim i kryetarit Lumir Abdixhiku, Kallxo.com ka dërguar pyetje edhe te zëdhënësi i partisë Besian Mustafa, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ai nuk ka kthyer përgjigje.
“Ishte bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës”- ishte përgjigja e Abdixhikut më kur u pyet në lidhje me cilësinë e pjesëmarrjes së Osmanit në takimin me Kurtin. Në vitin 2021, edhe pse ishte me numrin dy në listë, Osmani u kishte prirë edhe kandidatëve për deputetë që garonin nën akronimin e LVV-së, për shkak se asokohe Kurtit nuk iu lejua të kandidonte për deputet.
Zhvillimet e brendshme në LDK Nënshkrime për të thirrur Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së, në mënyrë që të fillojë procesi i votëbesimit të kryetarit të partisë, kanë filluar të mblidhen nga delegatë të partisë, megjithatë zyrtarisht deri më tani ato nuk janë deponuar në selinë e LDK-së.
Vet Abdixhiku, më pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, u pyet nëse e konsideron dorëheqjen duke qenë se kjo parti ka dalë e treta në tri palë zgjedhje me rend. “Jo.”- ishte përgjigja e shkurtër e Abdixhikut. Dhe, derisa pas kësaj përgjigjeje po merrte një pyetje tjetër, ai iu kthye sekretarit të partisë Ilir Ferati me një të “shkelur syri”.
Ndonëse zyrtarisht nuk janë dorëzuar nënshkrimet për votëbesimin e Abdixhikut, deputeti i zgjedhur Armend Zemaj në po të njëjtën ditë ka deklaruar se janë mbledhur mbi 150 nënshkrime. “Unë i takoj një dege që ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në të gjitha strukturat e LDK. Jo vetëm që e kam nënshkruar por janë më shumë se 150 nënshkrime që kërkojnë zgjedhje.
Nuk kam njohuri a janë deponuar”- ka thënë Zemaj para gazetarëve. Lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit, dorëheqjen e Abdixhikut e kanë kërkuar disa degë të partisë. Por, pas kërkesave për dorëheqje, ai ka reaguar më në rrjete sociale.
Me fjalinë “Si nuk u ngopët kurrë”, ai ka nisur kundërpërgjigjen ndaj dy bashkëpartiakëve të tij (Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit) që udhëheqin me degët e LDK-së në Pejë e Lipjan, e të cilët janë të parët që ia kërkuan dorëheqjen. Ai kishte kërkuar që këto kërkesa t’i ishin bërë ndër sy. “Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm.
Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.”- kishte shkruar Abdixhiku.
Madje, i pari i LDK-së ka thënë se ndonëse vet e ka trajtuar dorëheqjen më 31 janar, do të pranonte menjëherë dorëheqjet e Muhaxherit dhe Ahmetit si ‘dorëheqje morale’ pas perfomancës së dobët të këtyre degëve në zgjedhjet qendrore. “E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë.
Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash.”- kishte shkruar Abdixhiku. Pro dhe kundër kërkesave për shkarkimin e Abdixhikut Pas kërkesave të degëve të LDK-së në Lipjan, Pejë dhe Degës së dytë në Prishtinë për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, si pasojë e pakënaqësive me rezultatin zgjedhor, pati reaguar edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ilir Ferati.
Sipas tij, kryetarët e lartcekur, në vend të një analize të ndershme mbi përgjegjësitë që i takojnë secilit nivel, po përpiqen ta zhvendosin të gjithë barrën e rezultatit vetëm te niveli qendror. Ferati ka vlerësuar se çdo tentim për të ndërtuar narrativa vetëjustifikuese është i papranueshëm dhe i dëmshëm për partinë.
“Kush kërkon llogaridhënie nga të tjerët, duhet së pari të japë llogari për rezultatet në terrenin që ka menaxhuar vetë. Është e papranueshme që dikush të vetëshpallet i suksesshëm, ndërsa dështimet t’ua faturojë vetëm të tjerëve”- pati shkruar ai.
Sekretari i LDK-së theksoi se ky subjekt politik ka nevojë për unitet të vërtetë, seriozitet dhe vetëkritikë reale dhe jo për deklarata që ushqejnë ndarje të brendshme apo shërbejnë si platformë për ambicie personale. “Asnjë degë nuk e fiton e vetme LDK-në, dhe asnjë degë nuk e humb e vetme LDK-në. Por përgjegjësia nuk mund të përdoret si mburojë selektive.
Ajo është e përbashkët dhe e pakapërcyeshme për të gjithë” – shkroi Ferati. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes së partisë pas rezultatit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Ata thonë se ky vendim erdhi pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve.
“Me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”- thuhet në njoftim. Sipas LDK-së në Pejë është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”- theksohet në komunikatë. Sikurse Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, edhe ajo në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut.
Ky vendim, sipas tyre, erdhi pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe dega e Rahovecit dhe ajo e Deçanit. Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja e vetme sipas deputetes së zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Këto fjalë i ka shkruar Bajrami më pasi që dorëheqja iu kërkua kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga dega e Pejës, Lipjanit dhe Degës së dytë të Prishtinës, pas rezultatit zgjedhor të kësaj partie. Bajrami ka kërkuar sjellje me dinjitet, duke shtuar se pozitat nuk janë të përhershme.
Në janarin e këtij viti u mbajt votëbesimi ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi që ai vetë e kërkoi këtë pas rezultatit zgjedhor të dhjetorit 2025. E Bajrami ka përkujtuar se edhe në janar ka thënë se përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor duhet reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
“Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë. Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.”- ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur edhe rezultatin e votëbesimit, duke thënë se rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së Abdixhikut. Ky rezultat, sipas saj, është tregues se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.
Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më , LDK ka dalë partia e tretë në vend me 16.69% apo 18 deputetë, pas LVV-së që fitoi 53 deputetë dhe PDK-së që siguroi 22 deputetë.
