Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur në zjarrin që ka kapluar një jetimore në periferi të kryeqytetit algjerian të enjten në mëngjes (), raporton Reuters , duke iu referuar mediave shtetërore algjeriane. Zjarri shpërtheu në një jetimore në Lagjen Mohammadia në periferitë lindore të Algjerit.
Dhjetë nga të plagosurit pësuan djegie të shkallëve të ndryshme, ndërsa ekipet e emergjencës evakuuan pesë persona me aftësi të kufizuara nga jetimorja në vende të sigurta, ka njoftuar agjencia e mbrojtjes civile.
Agjencia ka bërë të ditur se operacionet e zjarrfikësve po vazhdojnë dhe nuk ka identifikuar menjëherë viktimat, nuk ka treguar moshën dhe as nuk ka treguar se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Algjeria është përfshirë ditëve të fundit nga vala e të nxehtit, me njësitë e mbrojtjes civile që kanë shuar 913 vatra zjarresh në mbarë vendin që nga 8 korriku, ka raportuar të mërkurën agjencia shtetërore e lajmeve APS, duke cituar Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes Civile. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
