Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti reagoi ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
“Po të isha Sllobodan Millosheviqi, etnikisht do ta kisha pastruar Kosovën në vitin 1998!”, deklaroi publikisht në intervistë ministresha e Aleksandar Vuçiqit dhe kaloi pa u shkarkuar, pa dënim publik, pa kërkim falje, pa asnjë shprehje të pendesës apo keqardhjes nga ana e shefit të saj.
Kur një zyrtar qeveritar, në shekullin XXI, publikisht shpreh glorifikim për bëmat e kasapit të Ballkanit dhe për më keq, publikisht shpreh keqardhjen e saj që e paska lënë punën të pakryer, pra, nuk e paska pastruar Kosovën nga shqiptarët, dhe për një deklaratë të tillë skandaloze, shoviniste, raciste kalon pa ndëshkim, atëherë nuk na ngelet tjetër përpos të parashtrojmë pyetjen: çfarë në të vërtetë paska ndryshuar në mendësinë nacional-shoviniste serbe që vazhdon të thur ëndrrën për Serbinë e madhe?!”, tha Mexhiti.
Ai shtroi pyetjet: Si mund të flasim për kapitullin e ri të Ballkanit të traumatizuar nga gjakderdhja, nga pastrimi etnik e gjenocidi nëse në vitin 2026 akoma kemi zyrtarë shtetërorë të cilët vuajnë për “punët e papërfunduara të fund shekullit XX”?!
Kush mund të ketë iluzione se po jetojmë në erën e pajtimit dhe se ndajmë vlerat e popujve evropianë nëse një deklaratë fatkeqe me premisa të qarta raciste e ksenofobike që thyen çdo normë etike, morale dhe juridike pranohet në heshtje dhe nuk ka asnjë penalizim si pasojë?
“Këto janë fytyrat e vërteta të Open Balkan-it, iniciativës të cilën tentuan të na e shesin si perspektivën më të mirë për aspiratat euro-integruese të vendeve të rajonit por e cila, tashmë nuk ka asnjë dilemë, qartazi paska qenë vetëm kornizë për rehabilitimin historik, politik e ideologjik të Serbisë për krimet makabre të kryera gjatë luftërave të përgjakshme në ish- Jugosllavi.
I rikujtoj ministreshës Sllobo-nostalgjike se ajo që ka ndodhë në Kosovë në vitet 1998-1999 ka qenë ndër fushatat më të egra të pastrimit etnik në territorin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore.
Si pasojë e fushatës etnocentrike të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë të cilët ishin nën urdhërat direkte të Sllobodan Millosheviqit, në Kosovë u vranë mbi 10.000 civilë shqiptarë nga të cilët rreth 1.500 ishin fëmijë.
Nga 6.000 persona të zhdukur akoma sot figurojnë të pagjetur rreth 2.000 burra e djem shqiptarë të Kosovës, ndërsa numri i grave dhe vajzave të dhunuara dhe të keqtrajtuara seksualisht shkon deri në 10.000!”m ”, tha Mexhiti. Bashkëkryetari i VLEN-it tha se sot Kosova është shtet i pavarur, demokratik, dhe i pranuar ndërkombëtarisht.
Theksoi se Subjektivitetin e Kosovës e demonstrojnë institucionet e saj të ndërtuara dhe të zgjedhura në procedura demokratike, ndërsa e garanton Ushtria e Kosovës. “Kjo është Kosova që na bën të gjithëve krenarë dhe për të cilën breza të tërë sakrifikuan e derdhën gjak. Kumbarat e Open Balkanit dhe avokatët e Aleksandar Vuçiqit le të vazhdojnë të heshtin.
Në heshtje e aprovojnë deklaratën skandaloze të ministreshës serbe”, shkroi Mexhiti.
