Bebe Rexha ka elektrizuar New York-un me një performancë të fuqishme live, duke dhuruar spektakël para mijëra fansave të mbledhur në Rockefeller Plaza.
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare u ngjit në skenën e emisionit të njohur të mëngjesit të NBC-së, “Today”, si pjesë e “Citi Concert Series”, ku interpretoi disa prej hiteve të saj para një publiku të shumtë. 36-vjeçarja solli në skenë edhe këngë nga albumi i saj më i fundit, “Dirty Blonde”, i publikuar në qershor të këtij viti.
Ky është albumi i katërt i Rexhës dhe një projekt veçanërisht i rëndësishëm për të, pasi shënon albumin e saj të parë si artiste e pavarur pas largimit nga sistemi tradicional i një kompanie të madhe diskografike.
Performanca në Rockefeller Plaza vjen në një periudhë mjaft aktive për këngëtaren, e cila po vijon promovimin e “Dirty Blonde” përmes koncerteve dhe paraqitjeve të ndryshme në mbarë botën. Me energjinë dhe performancën e saj karakteristike, Bebe Rexha dëshmoi edhe një herë se di ta ndezë skenën, duke e kthyer “Today” në një tjetër moment të paharrueshëm në rrugëtimin e saj muzikor.
