Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serbë për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në punë. KGJK-ja i ka propozuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, lirimin e tyre nga detyra. Vendimi është kritikuar nga Bashkimi Evropian, i cili shprehu “keqardhje të thellë”.
Juristi Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dhënë dorëheqje duhet të bëhet vetëm përmes një konkursi të ri dhe në përputhje me ligjin. Sipas tij, rikthimi nuk mund të bëhet me vendime politike apo kërkim faljeje, pasi gjyqtarët duhet të jenë të pavarur dhe të respektojnë etikën profesionale.
“Duhet të hapet konkurs i ri për të bërë bazë ligjore. Të gjithë mund të konkurrojnë, por ata të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare, e kanë të vështirë kthimin. Pra, nuk ka kthim politik me vendim politik, por ka vetëm profesional. Gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të përfshihen në politikë dhe të bëhen peng i politikës. Ata duhet të respektojnë etikën profesionale.
Në të kundërtën, nuk mund të jenë pjesë e KGJK-së. Pra, nuk ka kthim me kërkim falje, për shkak se janë ligjet në fuqi dhe tregojnë qartë se, nëse nuk respektohet puna, orari dhe kontrata, në cilindo stad ajo ndërpritet. Pra, duhet pasur parasysh këtë segment, se nuk ka asgjë falas dhe me politikë ” – shpreh ai për gazetën.
