Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj për zhvillimin ekonomik lokal dhe funksionalizimi i zonave industriale.
Në takim morën pjesë edhe deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Ilir Kërçeli, si dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë në Komunën e Kamenicës, Edon Dermaku.
Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimin ekonomik lokal, sfidat me të cilat përballet kjo komunë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Në takim u theksua se: “Ndarja e Kamenicës dhe Ranillugës ka krijuar vështirësi në administrimin dhe menaxhimin e zonave industrial, se riorganizimi dhe funksionalizimi i tyre mbetet një domosdoshmëri për të nxitur investimet, prodhimin dhe zhvillimin ekonomik të Komunës së Kamenicës”.
Kusari-Lila e vlerësoi punën e Kryetarit Rahimaj ,i cili po përballet me sfidat dhe gjetjën e zgjedhjeve të qëndrueshme për komunën.
“Gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë institucional dhe për mbështetjen e projekteve që synojnë forcimin e infrastrukturës industriale, krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Komunën e Kamenicës”, u shpreh Kusari-Lila.
