Ndarja nga jeta e piktorit Kujtim Buza nuk është vetëm largimi i përgjithmonshëm fizik i një piktori të rëndësishëm të artit pamor shqiptar, porse ky largim mbyll një nga ato biografi artistike ku krijimtaria nuk mund të ndahet lehtë nga studimi, pedagogjia, institucioni, kritika, kujtesa dhe përgjegjësia ndaj artit kombëtar.
Kjo është arsyeja pse për Kujtim Buzën nuk mjafton të thuhet se ishte “piktor i peizazhit”. Etiketa është e saktë, por është e pamjaftueshme, sepse një artist nuk përkufizohet vetëm nga gjinia në të cilën ka punuar, por edhe nga mënyra se si e ka parë botën. Pikërisht këtu fillon Kujtim Buza. Ai ishte një nga ata artistë për të cilët piktura nuk mbaronte në sipërfaqen e telajos.
Pas saj qëndronte një marrëdhënie e gjatë me natyrën, historinë, njeriun, kujtesën dhe vetë kulturën pamore shqiptare. Nëse sot përpiqemi ta shohim veprën e tij nga largësia që na jep koha, ajo na shfaqet si një krijimtari që duhet lexuar në disa plane njëherësh: si pikturë, si përvojë e shikimit, si dëshmi e një epoke dhe si përpjekje për ta ruajtur Shqipërinë në kujtesën e artit.
Është e pamundur të flasësh për Kujtim Buzën pa përmendur Abdurrahim Buzën. Por është po aq e pamundur të kuptosh drejt Kujtim Buzën nëse e lëmë atë vetëm brenda emrit të të atit. Kjo është një nga sprovat më të mëdha të një artisti që lind në një familje artistësh: trashëgimia mund të jetë bekim, por mund të bëhet edhe hije.
Kujtimi Buza u rrit në një studio ku piktura nuk ishte një ide abstrakte, por pjesë e jetës së përditshme. Një dokumentar i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, i vitit 1982, e ruan pikërisht këtë marrëdhënie në një pamje të rrallë: Abdurrahim Buza dhe i biri i tij Kujtimi duke pikturuar së bashku në studio.
Dokumenti e vendos këtë marrëdhënie brenda një tabloje më të gjerë të jetës dhe veprës së Abdurrahim Buzës. Është një imazh që sot fiton një kuptim tjetër, një baba dhe një bir përballë së njëjtës botë: telajos. Por ata nuk janë i njëjti artist, dhe ky është dallimi që duhet ruajtur.
Abdurrahim Buza ndërtoi një nga gjuhët më të veçanta të modernitetit shqiptar; Kujtim Buza nuk u përpoq ta përsëriste atë gjuhë. Ai mori prej saj kulturën e disiplinës, respektin për vizatimin, lidhjen me figurën dhe natyrën, por kërkoi rrugën e vet. Në këtë kuptim, trashëgimia e të atit nuk ishte për të një strehë, po një provë aspak e lehtë.
Dhe Kujtim Buza e kaloi provën duke u bërë artist më vete, me një individualitet të spikatur artistik. Kjo është edhe arsyeja pse, në historinë e artit shqiptar, marrëdhënia mes tyre nuk duhet lexuar vetëm si një histori familjare, por si një histori e vazhdimësisë dhe diferencimit.
Një brez ia dorëzon brezit tjetër dashurinë për artin; por brezi pasardhës ka për detyrë të gjejë gjuhën e vet. Kujtim Buza e bëri këtë jo duke e mohuar të atin, por duke u larguar gradualisht nga nevoja për t’u përcaktuar përmes tij.
Në këtë kuptim, emri i tij nuk është një shtesë në historinë e Abdurrahim Buzës, por një kapitull më vete që kërkon një vlerësim të veçantë, pse jo dhe një studim të thelluar. Peizazhi: jo kopje e natyrës, por mënyrë e të parit Pikërisht këtu duhet të jemi më të kujdesshëm me fjalën “peizazh”.
Në historinë e pikturës shqiptare, peizazhi ka qenë shpesh një nga format më të drejtpërdrejta të marrëdhënies së artistit me vendin. Por peizazhistët nuk janë të gjithë njësoj. Dikush e ndërton peizazhin mbi vizatimin. Dikush mbi strukturën. Dikush mbi dritën. Dikush mbi ngjyrën. Dikush mbi atmosferën. Dikush e sheh natyrën si një rend të formave. Dikush tjetër si një përvojë emocionale.
E, pikërisht në këtë hapësirë duhet parë individualiteti i Kujtim Buzës. Ai nuk e trajtonte natyrën vetëm si objekt për t’u riprodhuar. Peizazhi tek ai është më shumë një gjendje shikimi.
Kjo është arsyeja pse drita dhe atmosfera marrin një rëndësi të veçantë në leximin e veprës së tij, ngase nuk kemi të bëjmë thjesht me “pamje të bukura” të Shqipërisë, por me përpjekjen për të kapur një çast ku vendi, ajri, ngjyra dhe emocioni bashkohen. Në këtë pikë, mund të flasim për një ndjeshmëri impresioniste, por jo për ta futur mekanikisht autorin në një kuti stilistike.
Impresionizmi, në rastin e tij, është më tepër një mënyrë e të perceptuarit sesa një deklaratë teorike. Është të kapësh dritën përpara se ajo të ndryshojë, atmosferën përpara se ajo të shpërndahet. Të kuptosh se një peizazh nuk është i njëjtë në mëngjes dhe në mbrëmje, në diell dhe në mjegull, në verë dhe në dimër. Kjo e bën pikturën e tij të lidhet me përvojën e drejtpërdrejtë të natyrës.
Por këtu duhet shtuar edhe diçka tjetër. Peizazhi i Kujtim Buzës nuk është thjesht çështje ngjyrash të bukura. Në një lexim më të thellë, ai është një marrëdhënie midis ngjyrës dhe kujtesës, sepse kjo nuk shërben vetëm për të imituar natyrën. Ajo e përkthen atë. Dhe kjo është një diferencë e rëndësishme. Një pemë nuk është më vetëm pemë.
Një mal nuk është vetëm masë shkëmbore, ashtu si edhe një rrugë nuk është vetëm rrugë. Ato bëhen shenja të një përvoje. Kjo është arsyeja pse piktura e tij mund të afrohet me një ndjeshmëri lirike: ajo kërkon të ruajë jo vetëm pamjen, por ndjesinë e pamjes. Dhe këtu qëndron një nga cilësitë e saj më njerëzore.
Kujtim Buza e pikturoi Shqipërinë, por nuk mendoj se kjo është fjalia më e rëndësishme, sepse më së shumti ai e pa Shqipërinë. Dhe të shohësh është tjetër gjë nga ajo që mund të riprodhosh. Një artist mund të pikturojë një mal dhe të na tregojë malin, por artist tjetër mund të pikturojë të njëjtin mal dhe të na bëjë të ndiejmë kohën, ajrin, largësinë dhe heshtjen që ekzistojnë përreth tij.
Këtu fillon arti i vërtetë. Në veprën e Kujtim Buzës, territori shqiptar nuk është thjesht sfond gjeografik, por një hapësirë emocionale. Kjo është edhe arsyeja pse peizazhi i tij mund të lexohet si një lloj arkivi i ndjeshmërisë.
Ai ruan jo vetëm vendin, por edhe mënyrën se si një brez e përjetoi vendin, dhe kjo, për historinë e artit, është e rëndësishme, sepse pas shumë dekadash, një dokument fotografik mund të na tregojë se si dukej një vend. Një pikturë e mirë mund të na tregojë si ndihej ai vend. Kjo është një nga arsyet pse peizazhi shqiptar i shekullit XX nuk duhet parë vetëm si regjistër topografik.
Ai është edhe një histori e mënyrave të të parit. E, në këtë histori, Kujtim Buza ka vendin e tij. Kujtim Buza nuk e kufizoi marrëdhënien e tij me hapësirën shqiptare brenda kufijve të peizazhit të zakonshëm.
Botimi “Nëpër vende historike të Kosovës” me vizatime e skica nga piktori Kujtim Buza dëshmon një projekt artistik ku vizatimi bëhet mënyrë për të regjistruar vende, monumente dhe gjurmë të historisë. Ky botim i veçantë figuron në katalogë bibliotekarë dhe bibliografikë të specializuar, dhe këtu ndodh diçka shumë e rëndësishme. Peizazhisti bëhet dëshmitar dhe vizatuesi bëhet kronikan.
Pikërisht këtu, artisti hyn në marrëdhënie me historinë. Kjo është arsyeja pse Kosova zë një vend të veçantë në leximin e trashëgimisë së tij. Në këto udhëtime, hapësira nuk është vetëm natyrë, por gjurmë, monument, kujtesë… Është histori e materializuar në gur, në rrugë, në ndërtesa, në vendbanime.
Kështu, vizatimi i tij fiton një funksion të dyfishtë: është vepër arti, por njëkohësisht është edhe dëshmi e një peizazhi kulturor. Kjo e zgjeron ndjeshëm kuptimin e “peizazhit” tek Kujtim Buza, sepse peizazhi nuk është më vetëm natyror. Është edhe historik, edhe kulturor, edhe shpirtëror. Kjo është një nga fushat ku vepra e tij meriton një studim më të plotë.
Një shembull konkret na vjen edhe nga Galeria Kombëtare e Kosovës, e cila katalogon veprën “Novobërda” të Kujtim Buzës, vaj mbi telajo, 60 × 60 cm. Vetë zgjedhja e një motivi të tillë është domethënëse. Novobërda nuk është thjesht një vend, por një hapësirë ku gjeografia dhe historia takohen dhe bëhen bashkë.
Dhe kur një artist e merr një vend të tillë si motiv, ai nuk mund të mbetet vetëm te bukuria e pamjes, sepse në të hyjnë koha, kujtesa dhe identiteti. Kjo na ndihmon ta shohim Kujtim Buzën jo vetëm si piktor që kërkon një peizazh të bukur, por si artist që e kupton hapësirën si bartëse të historisë. Në këtë pikë, piktura e tij bëhet më e gjerë se peizazhi.
Ajo bëhet pikturë e vendit, sepse “vendi” këtu nuk është thjesht koordinatë gjeografike, por një hapësirë e ngarkuar me kujtesë. Mjeshtri i penelit Kujtim Buza nuk mund të kuptohet vetëm përmes pikturës. Kjo do të ishte një zvogëlim i figurës së tij, sepse ai ishte edhe studiues.
Kjo anë e veprimtarisë së tij është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar profilin e tij si artist në artin pamor. Një krijues që studion artin e të tjerëve nuk qëndron më vetëm përpara telajos së vet, por hyn në dialog me historinë. Kujtim Buza ka lënë gjurmë si autor dhe studiues i artistëve shqiptarë.
Në bibliografinë e studimeve mbi artin shqiptar dokumentohet, ndër të tjera, monografia e tij kushtuar Piktorit të Popullit Sali Shijaku, botuar nga Galeria Kombëtare e Arteve Figurative në vitin 1986. Po kështu, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dokumenton se në monografinë për Tahir Emrën, botuar më 2013, përfshihet një studim i Kujtim Buzës.
Këto të dhëna janë të rëndësishme, sepse na tregojnë se ai nuk e shihte artin vetëm nga pozita e autorit që krijon, por përpiqej ta kuptonte, ta interpretonte dhe ta dokumentonte edhe krijimtarinë e të tjerëve.
Të shkruash për një artist do të thotë të pranosh se krijimtaria është pjesë e një historie më të gjerë dhe kështu, Kujtim Buza nuk ishte vetëm prodhues i artit, por një nga njerëzit që ndihmuan në ndërtimin e kujtesës së artit. Ka edhe një cilësi që shpesh harrohet kur flasim për artistët: aftësia për të parë. Jo vetëm për të pikturuar, por edhe për të parë.
Kjo aftësi është edhe një nga çelësat për të kuptuar figurën e Kujtim Buzës si mendimtar i artit. Në një dëshmi të botuar për një ekspozitë të Vangjo Vasilit në Prishtinë, Kujtim Buza shfaqet si një vëzhgues i interesuar për mënyrën se si ndërtohet një pikturë: për njollën, vijën, emocionin, origjinalitetin dhe marrëdhënien me peizazhin. Kjo mënyrë e të vështruarit është domethënëse.
Ai nuk e gjykonte një pikturë vetëm nga “çfarë paraqet”, por e shikonte si ishte ndërtuar. Shikonte ngjyrën, njollën, linjën, atmosferën, origjinalitetin… etj.
Pra, kemi përpara një artist që nuk e kishte humbur syrin kritik dhe kjo na ndihmon të kuptojmë edhe më mirë pikturën e tij, sepse mënyra se si një artist sheh veprën e tjetrit shpesh na tregon mënyrën se si ai sheh edhe veprën e vet. Në këtë kuptim, kritika nuk ishte për të një veprim i shkëputur nga piktura, por një vazhdim i saj me mjete të tjera.
Nëse peizazhi na tregon se si Kujtim Buza e përjetonte natyrën, vizatimi na tregon diçka për mënyrën se si ai e ndërtonte shikimin. Vizatimi është prova e dorës, vendi ku artisti nuk mund të fshihet lehtë pas ngjyrës. Një vijë e vetme mund të mbajë peshën e një forme dhe një kontur mund të sugjerojë një ndërtesë, një trup, një pemë, një rrugë.
Në këtë kuptim, puna e tij në vizatimet e vendeve historike të Kosovës është veçanërisht domethënëse. Aty artisti duhet të jetë njëkohësisht i saktë dhe interpretues. Të regjistrojë, por edhe të zgjedhë. Të shohë, por edhe të përkthejë. Të dokumentojë, por edhe të krijojë.
Kjo marrëdhënie midis dokumentit dhe artit është një nga dimensionet më të pasura të veprës së tij, që na tregon se Kujtim Buza nuk ishte thjesht piktor i ngjyrës. Ai ishte edhe artist i vijës. Një tjetër dimension i rëndësishëm është marrëdhënia e Kujtim Buzës me institucionet e artit. Ai drejtoi Galerinë Kombëtare të Arteve.
Për një artist, drejtimi i një institucioni të tillë do të thotë të kalosh nga hapësira intime e studios në hapësirën publike të kulturës. Në studio përgjigjesh për veprën tënde, ndërsa në institucion përgjigjesh edhe për mënyrën se si shoqëria e sheh artin.
Kjo është një përgjegjësi krejt tjetër dhe na jep një pamje tjetër të artistit: jo vetëm të piktorit në studio, por edhe të artistit brenda jetës institucionale.
E, padyshim, kjo është pjesë e kontributit të tij që meriton të mos lihet në hije, sepse një galeri kombëtare nuk është vetëm një ndërtesë ku varen piktura, por një institucion i rëndësishëm që përcakton, në një masë të caktuar, se cilat vepra ruhen, cilët artistë shfaqen, cilat prirje bëhen të dukshme dhe si ndërtohet kujtesa publike e artit.
Në këtë kuptim, roli i Kujtim Buzës si drejtues është pjesë e historisë së tij artistike. Ndoshta një nga mënyrat më të mira për të matur një figurë artistike është të shohësh se çfarë ndodhi me artistët përreth saj. Është i njohur fakti se Kujtim Buza luajti rol të dukshëm në nxitjen e paraqitjes së veprave të artistëve më të rinj dhe në hapjen e një rruge drejt ekspozimit kombëtar.
Ky është një lloj kontributi që nuk duket gjithmonë në katalogët e muzeve, por është shumë i rëndësishëm për t’u evidentuar: sepse një artist mund të lërë pas dhjetëra punime e tablo, dhe një tjetër mund të lërë dhjetëra e dhjetëra artistë që kanë marrë prej tij një shtysë, një këshillë, një mundësi, një hapje dere.
Në këtë kuptim, ndikimi i Kujtim Buzës duhet kërkuar edhe në jetën e artit rreth tij. Kujtim Buza i përkiste një brezi që e përjetoi artin shqiptar në një periudhë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Ishte brezi që punoi brenda një sistemi të fortë ideologjik, por që njëkohësisht jetoi me nevojën e vazhdueshme për të ruajtur cilësinë profesionale, individualitetin dhe kërkimin artistik.
Kjo histori nuk mund të shkruhet bardhë e zi, sepse as artistët nuk mund të vendosen thjesht në dy kuti: “të mirë” dhe “të këqij”. Arti shqiptar i asaj kohe kishte kufizime, por kishte edhe artistë me formim, disiplinë, kulturë vizuale dhe kërkime të vërteta. Kujtim Buza ishte pjesë e kësaj historie komplekse.
E, pikërisht për këtë arsye, vepra e tij duhet parë në kontekstin e kohës, por nuk duhet burgosur brenda saj. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse një vepër arti mund të lindë në një sistem të caktuar, por kuptimi i saj nuk mbaron me sistemin që e prodhoi. Sot ne mund ta shohim pikturën e Kujtim Buzës me sy të tjerë, mbase dhe me ngjyrën pa propagandën e kohës.
Mund ta shohim peizazhin pa retorikën politike. Në veprën e tij mund të shohim dritën, dorën e artistit, njeriun përballë natyrës, kjo është një nga privilegjet e kohës që na lejon ta rishohim veprën pa zhurmën që e shoqëroi në momentin e krijimit.
Një nga dëshmitë më interesante për mendimin e vonë të Kujtim Buzës është mënyra se si ai e shihte zhvillimin e artit shqiptar pas ndryshimit të sistemit.
Ai vlerësonte hapjen që solli liria krijuese, ardhjen e rrymave të ndryshme dhe mundësitë e reja të shkollimit e komunikimit artistik, por njëkohësisht shihte me shqetësim rrezikun e imitimit, amatorizmit dhe humbjes së standardit profesional. Ky qëndrim është domethënës, sepse tregon se ai nuk e kuptonte modernizimin si braktisje të çdo tradite. Përkundrazi.
Për të, liria artistike duhej të shoqërohej me formim, kulturë dhe profesionalizëm. Dhe kjo është një ide që mbetet aktuale edhe sot, sepse liria pa dije mund të prodhojë zhurmë, ndërsa liria e mbështetur në kulturë, zanat dhe përgjegjësi mund të prodhojë art.
Kjo pikëpamje e vendos Kujtim Buzën në një pozicion interesant: ai ishte një artist i formuar në një epokë të caktuar, por nuk e refuzonte ndryshimin, sepse kërkonte që ndryshimi të kishte themel. Kujtim Buza përballë traditës së peizazhit shqiptar Dhe këtu mund të bëjmë një pyetje më të vështirë: Ku qëndron Kujtim Buza përballë traditës së peizazhit shqiptar?
Historia e peizazhit shqiptar ka emra të rëndësishëm dhe rrugë të ndryshme. Vangjush Mio e ndërtoi një pjesë të madhe të autoritetit të tij mbi dritën, atmosferën dhe përvojën e drejtpërdrejtë të natyrës. Abdurrahim Buza e trajtoi natyrën në një gjuhë ku moderniteti, ngjyra, dekorativiteti dhe ndjenja kombëtare ndërthureshin në mënyrë të veçantë.
Artistë të tjerë e çuan peizazhin drejt strukturës, ngarkesës figurative, lirizmit apo interpretimit modern. Kujtim Buza nuk duhet futur në garë me këta emra, por, padyshim, duhet vendosur në dialog me ta, sepse aty kuptohet më mirë individualiteti. Ai nuk e kishte synimin për ta shndërruar natyrën në një abstraksion, por as nuk mbeti në një realizëm të thatë të pamjes.
Mes këtyre dy poleve – pamjes dhe ndjenjës – ai ndërtoi një pjesë të rëndësishme të gjuhës së vet. Kjo është ndoshta arsyeja pse peizazhet e tij mund të lexohen si një formë lirizmi pamor. Jo natyra si dekor, por natyra si përjetim. Çfarë e dallon, atëherë, Kujtim Buzën? Ndoshta përgjigjja nuk gjendet në një ngjyrë të vetme, në një teknikë të vetme apo në një temë të vetme.
Individualiteti i tij është më i gjerë. Ai qëndron në bashkimin e disa dimensioneve: piktorit që shihte natyrën, artistit që kërkonte dritën, vizatuesit që regjistronte hapësirën, studiuesit që kërkonte kuptimin, kritikut që dinte të shihte veprën e tjetrit, pedagogut që kërkonte vazhdimësinë, dhe institucionistit që kërkonte vendin e artit në jetën kulturore.
Kjo është arsyeja pse termi “peizazhist” nuk mjafton. Ai është vetëm njëra derë për të hyrë në veprën e tij. Pas asaj dere është një botë më e gjerë. E, pikërisht kjo botë e bën të nevojshme që vepra e Kujtim Buzës të mos mbetet vetëm në kujtesën emocionale të kolegëve dhe miqve.
Ajo duhet të studiohet, të katalogohet, të rivlerësohet, të krahasohet dhe të vendoset në dialog me historinë e pikturës shqiptare. Vetëm kështu një artist hyn përfundimisht në histori. E në fund, çfarë mbetet? Mbeten veprat, pikturat, vizatimet, studimet, librat, ekspozitat, kujtimet…
Padyshim mbeten njerëzit që kanë mësuar prej tij, gjurmët institucionale të një kohe ku ai ishte pjesë aktive e jetës së artit shqiptar. Por mbetet edhe diçka më e vështirë për t’u matur: mënyra e të parit. Kjo është trashëgimia më e padukshme e një artisti. Një nxënës që mëson të shohë më mirë. Një koleg që kupton një vepër ndryshe. Një studiues që gjen një lidhje të re.
Një shikues që, përballë një peizazhi, fillon të vërejë dritën. Nëse Kujtim Buza ka bërë diçka të tillë, atëherë vepra e tij vazhdon edhe përtej telajos. Dhe mbetet një pyetje që çdo artist i madh ia lë brezit pas vetes: Çfarë do të bëni ju me atë që trashëguat? Kujtim Buza e mori trashëgiminë e një babai të madh dhe nuk u mjaftua me të. Ai ndërtoi të vetën.
Kjo është ndoshta forma më e pastër e respektit ndaj një paraardhësi: jo ta përsërisësh, por të vazhdosh dialogun me të duke krijuar zërin tënd. Në vend të një lamtumire Nuk do të doja ta mbyllja këtë shkrim me fjalët e zakonshme të një nekrologjie, sepse Kujtim Buza nuk është vetëm një emër që duhet kujtuar.
Ai është një emër që piktura e tij duhet lexuar pa ekuivoke, gjithmonë në marrëdhënien e tij me hapësirën shqiptare. Në udhëtimin e tij artistik nëpër Kosovë. Në shkrimet dhe studimet e tij. Në marrëdhënien e tij me artistët e tjerë. Në punën e tij pedagogjike. Në institucionet ku shërbeu.
E mbi të gjitha, në atë marrëdhënie të vështirë dhe të bukur me trashëgiminë e Abdurrahim Buzës, ku biri nuk u bë kopje e të atit, por bashkëbisedues i tij në historinë e artit shqiptar. Kjo është ajo që e bën të rëndësishme ikjen e tij. Jo vetëm sepse humbëm një njeri të artit. Por sepse humbëm një dëshmitar dhe pjesëmarrës të një epoke të tërë të artit pamor shqiptar.
Një njeri që e njohu pikturën nga brenda, që jetoi studion, shkollën, institucionin, ekspozitën, kritikën dhe peizazhin. Një njeri që nuk u mjaftua të pikturonte atë që shihte, por u përpoq të kuptonte edhe atë që qëndronte pas pamjes. Një njeri që e pa Shqipërinë jo vetëm si tokë, por si dritë. Jo vetëm si territor, por si kujtesë. Jo vetëm si peizazh, por si përvojë njerëzore.
Ndoshta ky është imazhi që mund të mbetet prej tij: një piktor përballë një peizazhi, duke pritur çastin kur drita bëhet ngjyrë. Piktori tashmë nuk është më aty. Por drita është ende. Është në telajo. Është në vizatim. Është në kujtesë. Është në sytë e atyre që do të vazhdojnë ta shohin veprën e tij.
Dhe sa kohë që ajo vazhdon të bjerë mbi veprat e tij, Kujtim Buza vazhdon të jetë pjesë e asaj Shqipërie që ai zgjodhi të shohë, të përjetojë dhe ta lërë në art. Ndoshta ky është edhe përkufizimi më i thjeshtë i trashëgimisë së një artisti: ajo që mbetet kur artisti nuk është më. Kujtim Buza iku. Por Shqipëria e tij mbeti. Mbeti në dritë. Në ngjyrë. Në vijë. Në peizazh. Në kujtesë.
E mbi të gjitha, në atë mënyrë të veçantë të të parit që e bën artin të jetojë edhe pasi syri që e krijoi nuk është më. Kjo është trashëgimia e tij. Jo vetëm ajo që pikturoi. Por mënyra se si na mësoi të shohim.
