Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, gjatë Konferencës IX Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, tha se BE-ja dhe Shqipëria kishin rënë dakord, përpara nisjes së protestave në vend, për shfuqizimin e dy ligjeve që kanë ngjallur debate të shumta.
Kos bëri të ditur se do të shfuqizohen ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura të vitit 2024, si dhe ligji për investimet strategjike. Sipas komisioneres, këto ndryshime janë thelbësore në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Ne nuk e shohim rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian si në rrezik dhe prova është kjo e sotmja, ku kemi mbyllur tre kapituj.
Lidhur me këtë çështje specifike, mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Por, përpara se të nisnin protestat, kishim rënë dakord me Shqipërinë që përgjatë këtij viti të shfuqizoheshin ndryshimet në ligjin e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe ligji për investimet strategjike.
Këto ndryshime duhet të bëhen për të përmbyllur procesin e integrimit në BE dhe lidhen me Kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin. Do t’i inkurajoja autoritetet shqiptare që t’i ndërmarrin sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që protesta është shumë e rëndësishme.
Protestat janë pjesë e demokracisë dhe mënyra se si vendet i trajtojnë ato është pjesë e proceseve pluraliste dhe demokratike. Inkurajoj qeverinë shqiptare që të marrë parasysh kërkesat e qytetarëve”, tha ajo.
