Menaxheri i futbollit, Sokol Haxhia, deklaroi se Argjentina po ndihmohet në Kupën e Botës. Në emisionin “Kampionët e Botës” në Tv Klan, Haxhia u shpreh se kombëtarja e Lionel Scalonit nuk meritonte të ishte këtu. Sipas tij, nuk mund të fitosh titullin kampion bote, me dy lojtarë që luajnë te Inter Miami, referuar Lionel Messit dhe Rodrigo De Paul.
“Scalonin nuk mund ta diskutosh, sepse është kampion bote. Tuchel ka një karrierë më të larmishme. Kemi dy Botërorë rresht, në mënyrë shumë të hapur Argjentina po ndihmohet. Nuk është polemikë, por duket në fushë. Jo vetëm në Botërorin e kaluar, por edhe në këtë Botëror. Për mua Argjentina nuk e meritonte të arrinte deri këtu. Do të preferoja Zvicrën.
Nuk mund të dalësh kampion bote me dy lojtarë që luajnë te Inter Miami. Po të shikosh kilometrat e Lionel Messit… Ne duhet ta shijojmë se mund të jetë e fundit në Kupë Botë. Në historinë e futbollit është numri 1. Anglia ka më tepër forcë dhe uri. Me duket se nuk do të ketë ndeshje nga ana tekniko-taktike”, deklaroi Haxhia.
