Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk i ka publikuar të gjitha listat e përfituesve të granteve dhe pagesave direkte, ndërsa nuk ka hartuar as Programin Vjetor për Grante për vitin 2025, kanë konstatuar auditorët në raportin e performancës.
Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kjo ministri nuk ka publikuar listat e përfituesve juridikë për pagesat direkte të vitit 2025, si dhe listën e përfituesve të granteve të Programit për Zhvillim Rural 2024 për Masën 3.5 – Prodhimi i verërave. Auditimi ka gjetur gjithashtu se edhe listat e tjera të përfituesve të granteve janë publikuar në mënyrë jo të plotë.
“Listat tjera të përfituesve të granteve të PZHR-së të vitit 2024 ishin publikuar në mënyrë jo të plotë, pasi mungonin disa përfitues në listat e publikuara, evidentuar nga tetë raste ku përfituesit nuk ishin përfshirë në listat e publikuara”- thuhet në raport.
Sipas auditorëve, këto mangësi ulin nivelin e transparencës dhe besueshmërisë së publikut, kufizojnë qasjen në informata për shpenzimin e parasë publike.
Zyrtarët e ministrisë kanë arsyetuar se listat nuk publikohen derisa të përfundojë procesi i pagesave për të gjithë përfituesit, ndërsa publikimi jo i plotë është lidhur me probleme teknike dhe mungesën e menaxherit të kontratës për mirëmbajtjen e ueb-faqes së Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Për këtë çështje, ZKA ka rekomanduar që ministri, në koordinim me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, të sigurojë publikimin e plotë, të azhurnuar dhe në kohë të listave të përfituesve, përmes procedurave dhe mekanizmave efektivë të monitorimit. Një tjetër gjetje e rëndësishme e auditorëve lidhet me mungesën e Programit Vjetor për Grante për vitin 2025.
Sipas Ligjit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ministri është i obliguar të miratojë programin vjetor që përcakton masat dhe mbështetjen për sektorin bujqësor gjatë vitit kalendarik. Megjithatë, auditimi ka konstatuar se Ministria e Bujqësisë nuk e ka hartuar dhe miratuar këtë program për vitin 2025.
ZKA vlerëson se mos hartimi i programit ka ardhur si rezultat i planifikimit të pamjaftueshëm strategjik dhe mungesës së mekanizmave efektivë për monitorimin e obligimeve ligjore.
Sipas raportit, mungesa e programit rrit rrezikun e shpërndarjes joefikase dhe jotransparente të fondeve publike, krijon pasiguri për fermerët dhe mund të shkaktojë vonesa në zbatimin e masave mbështetëse për sektorin e bujqësisë.
Auditorët kanë rekomanduar që ministria të sigurojë hartimin dhe miratimin me kohë të Programit Vjetor për Grante, në përputhje me kërkesat ligjore, duke forcuar mekanizmat e planifikimit dhe kontrollit të brendshëm. Për të dy rekomandimet, menaxhmenti i Ministrisë së Bujqësisë është pajtuar me gjetjet e auditorëve.
Kjo ministri ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori.ZKA jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raport i ZKA-së për ministrinë ka rezultuar me 15 rekomandime. Prej tyre, 9 janë rekomandime të reja, 5 janë të përsëritura dhe një rekomandim është pjesërisht i përsëritur.
Në raportin e auditimit në vitin 2024, kjo ministri kishte marrë 8 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .
