Nga: Tim Robey, kritik filmi / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Sharada [ Charade ], filmi i vitit 1963 në të cilin personazhi i interpretuar nga Audrey Hepburn është ndoshta më afër asaj se kush ishte ajo në të vërtetë, sapo është rilansuar nga Criterion Collection , kompania e DVD-ve e specializuar në restaurimin e filmave klasikë.
Ende mbizotëron imazhi i Hepburnit si një ikonë hijeshie dhe sqime – e sjellshme, edhe pse disi e ftohtë. Si prej porcelani. E paarritshme. Por, është e mundur që vetë kjo vetëpërmbajtje të ketë qenë, në njëfarë mase, një sharadë. Ndoshta dy filmat biografikë që po përgatiten do të arrijnë të hedhin dritë mbi aspekte të reja të jetës së saj.
Njëri, ende pa titull, me Lily Collinsin në rolin kryesor, bazohet në librin Avenyja e pestë, ora pesë e mëngjesit [ Fifth Avenue, 5am ] të Sam Wassonit, botuar në vitin 2010, dhe do të përqendrohet te realizimi i filmit Mëngjesi në Tifani [ Breakfast at Tiffany’s ] – filmi që u bë shenja dalluese e karrierës së saj – si edhe te përplasjet që shoqëruan sjelljen e tij në ekran (veçanërisht me Truman Capoten i cili donte që rolin kryesor ta luante Marilyn Monroe).
Tjetri, Darka me Odrin [ Dinner with Audrey ], do të bashkojë Thomasin McKenzien dhe Ansel Elgortin për të rrëfyer mbrëmjen vendimtare të vitit 1953, kur u krijua një nga miqësitë më të qëndrueshme të Hepburnit – ajo me stilistin francez Hubert de Givenchy.
Ata do të bashkëpunonin për shumë prej veshjeve të saj më ikonike, përfshirë fustanin e zi të shkurtër të Holi Golajtlit, fustanin e bardhë të ballos me motive lulesh nga Sabrina dhe kombinimin karakteristik të bluzës me shallin e lidhur në qafë nga Pushimi në Romë [ Roman Holiday ] – filmi që i solli Hepburnit çmimin Oskar për Aktoren më të Mirë, kur ishte vetëm 24 vjeçe.
Megjithëse vdiq në moshën vetëm 63-vjeçare nga kanceri i apendiksit, Hepburni nuk pati një jetë tragjike si ajo e Judy Garlandit, Michael Jacksonit apo Amy Winehouseit – për të përmendur tri subjektet e portreteve të fundit kushtuar figurave të famshme.
Karriera e saj u zbeh në një mënyrë më pak dramatike, kur në fund të viteve ‘60 të shekullit XX u tërhoq nga aktrimi për t’iu përkushtuar më shumë familjes, duke realizuar vetëm katër filma gjatë çerek shekullit të fundit të jetës.
Duhet të lexosh mes rreshtave të karrierës së Hepburnit dhe të njohësh fëmijërinë e saj për të kuptuar trishtimin që e bën atë kaq interesante – atë që partneri i saj i fundit, aktori holandez Robert Wolders, e quante “sekreti i saj më i ruajtur.” Bijë e aristokratëve të shkurorëzuar holandezë, simpatizantë të fashizmit, Hepburni u rrit në Holandën e pushtuar, ku xhaxhai i saj, konti Otto van Limburg Stirum, një figurë e shquar e rezistencës kundër nazistëve, ishte ndër të burgosurit e parë që u pushkatuan nga SS-ja.
Duke fjetur mbi një dyshek në bodrum, ajo u bë vullnetare e Rezistencës për të ndihmuar hebrenjtë që fshiheshin – një fakt që përmendet shkurtimisht në dokumentarin Odri [ Audrey ] të vitit 2020. Gjithashtu, ajo nisi stërvitjen në baletin klasik që në moshën pesëvjeçare. “Të bën të ëndërrosh, të fluturosh dhe t’i harrosh hallet,” ka thënë ajo dikur.
Megjithatë, rritja e saj ishte e ndërlikuar. Biografi i saj, Robert Matzen, në librin Vajza holandeze [ Dutch Girl , 2020] zbuloi se në korrik të vitit 1941, nëna e Audreyt, Ella, kishte organizuar një koncert në të cilin Audrey vallëzoi nën duartrokitjet e ushtarëve të Vermahtit.
Pesë muaj më vonë, gjatë një festivali kushtuar Mozartit, ajo përsëri performoi përpara pjesëtarëve të forcave pushtuese. E njohur për rezervën e saj në intervista, Hepburni nuk foli kurrë për përvojat e saj gjatë luftës.
Dihet se mungesa e ushqimit në Holandë e detyroi të ushqehej me bulba tulipanësh – “kishin shije të tmerrshme” – gjë që i shkaktoi probleme të përhershme me tretjen dhe, me shumë gjasë, kontribuoi në vdekjen e saj të parakohshme.
Rreth pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Hepburni refuzoi të luante rolin e Anne Frankut, sepse e ndiente historinë tepër pranë përvojës së saj personale. Më vonë, ajo hodhi poshtë edhe një rol në filmin Ura e paarritshme [ A Bridge Too Far , 1977], sepse nuk dëshironte të rikthehej te shkatërrimi i tmerrshëm që kishte goditur qytetin e saj të lindjes, Arnhemin.
Përpara dy martesave dhe disa lidhjeve të njohura, pati edhe romanca të përfolura. Gjatë xhirimeve të Pushimit në Romë , thashethemet qarkullonin se ajo dhe Gregory Pecku kishin një lidhje të fshehtë.
Gruaja e atëhershme e Peckut dhe tre djemtë e tyre ndodheshin në Romë; megjithatë, të dy aktorët mohuan publikisht çdo tradhti bashkëshortore gjatë gjithë miqësisë së tyre që zgjati gjithë jetën.
Bujaria e Peckut ishte e jashtëzakonshme: ai këmbënguli që Hepburni të kishte të njëjtin status si yll në titrat e filmit, duke parashikuar me saktësi se ajo do të fitonte një Oskar me rolin e saj të parë të madh. Më vonë ai ka thënë se mbajtja e dorës së saj gjatë atyre xhirimeve, ndërsa talenti i saj po lulëzonte, kishte qenë përvoja më e lumtur e karrierës së tij në kinema.
“Në ato rrethana ishte shumë e lehtë të dashuroheshe paksa,” rrëfeu ai më vonë. Mes famës marramendëse që pasoi, të gjithë donin një pjesë të Audreyt. Ndoshta edhe senatori i atëhershëm John F. Kennedy me të cilin, sipas një burimi, ajo pati një romancë të zjarrtë, por tepër të fshehtë në vitin 1953 – po atë vit kur Kennedy u martua me Jackie Onassisin.
Mary Gallagher, ish-sekretare në Shtëpinë e Bardhë, ia rrëfeu këtë histori njërit prej biografëve të JFK-së, Christopher Andersenit. “E mbaj mend Audrey Hepburnin,” tregoi Gallagher, “dhe, më kujtohet se sa shumë u mahnit i gjithë stafi kur ajo hyri në zyrë.
Ishte hijerëndë si një mjellmë dhe mbante një çadër të gjatë e të hollë me ngjyrë të kuqe.” Gallagheri shkoi edhe më tej: “Ajo kishte një anë shumë seksi, shumë të guximshme, të cilën publiku nuk e pa kurrë.” Fshehtësia që e rrethonte këtë lidhje të mundshme e bënte atë “edhe më intensive.” Sido që të ketë qenë e vërteta, Audrey ishte gati të hynte në një marrëdhënie serioze.
Burri i saj i parë, aktori dhe regjisori Mel Ferrer, u martua pesë herë (Audrey ishte gruaja e tij e katërt) dhe doli të ishte një përzierje e dëmshme xhelozie, kontrolli dhe tradhtish të vazhdueshme. Kur u martuan, Hepburni sapo kishte dalë nga një romancë shumë e përfolur me William Holdenin, partnerin e saj në filmin Sabrina .
Holdeni nuk ishte i gatshëm të shkurorëzohej nga gruaja e tij, Brenda Marshall, dhe, për dëshpërimin e madh të Hepburnit, kishte kryer vazektomi pasi ishte bërë baba i dy djemve.
Vetëm pasi mësoi për tradhtitë e Ferrerit, Hepburni nisi edhe vetë një lidhje jashtëmartesore me skenaristin Robert Anderson, i cili përshtati për ekran atë që, sipas shumëkujt, është filmi i saj më i mirë: dramën serioze të Fred Zinnemannit, Historia e një murgeshe [ The Nun’s Story , 1959].
Edhe martesa e dytë e Hepburnit, në vitin 1969, me psikiatrin italian Andrea Dotti, do të rezultonte po ashtu relativisht e gjatë, por e palumtur, kryesisht për shkak të prirjes së tij për të ndjekur gra më të reja.
“Kur vijnë kohët e vështira, je vetëm,” i rrëfeu ajo një gazetari në vitet e fundit të jetës së saj, “dhe vetmia mund të jetë e frikshme.” E gjithë kjo e bën rolin e saj në filmin Sharada (1963) të Stanley Donenit një përshtatje jashtëzakonisht të natyrshme me personalitetin e saj.
Ky kombinim mes komedisë romantike parisiene dhe thrilerit me elemente suspanse ishte një nga sukseset e fundit të mëdha të Hepburnit.
Filmi mbahet mend me qejf për flirtin plot shkëndija mes saj dhe Cary Grantit përgjatë brigjeve të Senës, për muzikën e Henry Mancinit dhe për subjektin plot kthesa që sillet rreth shufrave të vjedhura të arit, ndërsa trupat e kriminelëve shtohen njëri pas tjetrit.
Edhe më shumë se te Mëngjesi në Tifani dhe sigurisht më shumë se te Zonja ime e bukur [ My Fair Lady , 1964], ku ishte dukshëm e papërshtatshme për rolin, personazhi i Rexhina Lampertit është ndoshta figura që i afrohet më shumë arketipit të Audrey Hepburnit. Trishtimi dhe gjurmët e një dëshpërimi romantik janë të pranishme kudo te personazhi i saj.
Filmi nis me të gjatë një pushimi në Alpe, por jo në shoqërinë e bashkëshortit – një figurë e dyshimtë, prej të cilit ajo kërkon, me zemër të rënduar, shkurorëzimin.
Më pas ajo pranon shoqërinë e një plejboji shumë më të moshuar (Pitër Xhoshua, i luajtur nga Cary Grant), një tjetër burrë misterioz ndërkombëtar i cili bëhet gjithnjë e më i pamundur për t’u besuar, pasi pothuajse në çdo pjesë të filmit ai shfaqet me një identitet ose histori të re. Ku vallë i gjente gjithmonë këta burra?
Është një pyetje të cilën, me siguri, edhe vetë Hepburni në jetën reale mund t’ia ketë shtruar vetes me keqardhje. Në pamje të parë, Sharada mund të duket si një ushtrim i studiove hollivudiane për të bashkuar dy yje në ekran, por në të vërtetë filmi është ndërtuar me shumë kujdes sipas tipareve të të dy aktorëve dhe duket se e njeh mjaft mirë Hepburnin, e cila shfaqet si një figurë e vetmuar dhe e lodhur nga zhgënjimet.
Diferenca në moshë – 26 vjet – ishte një problem, sidomos për Cary Grantin 59-vjeçar i cili po mendonte seriozisht t’i jepte fund karrierës. Ai nuk donte të dukej si burri i moshuar që i afrohej në mënyrë grabitqare një gruaje shumë më të re, ndaj skenari u rishkrua në mënyrë që të ishte Rexhina ajo që merrte iniciativën në afrimin romantik.
Kjo është e rëndësishme, sepse e bën atë një personazh aktiv dhe të sigurt në flirt. Përndryshe, pavarësisht palltove elegante të Givenchyt që Hepburni vesh gjatë filmit, ajo do të mbetej thjesht një viktimë e pafuqishme e ngjarjeve, ndërsa burra të ndryshëm kurdisnin planet e tyre për të gjetur plaçkën e zhdukur.
Hepburni e adhuronte atë film, i pëlqente jashtëzakonisht ta xhironte në Paris dhe ajo e Cary Granti u bënë miq të ngushtë. Zhgënjimi i saj me Holivudin erdhi vetëm një vit më vonë, kur mësoi se 90 përqind e këngëve të saj në Zonja ime e bukur do të incizoheshin nga Marni Nixoni.
Ky ishte vendim i Jack Warnerit, i marrë në fazën e fundit të produksionit, i cili e tronditi aq shumë Hepburnin saqë ajo u largua nga xhirimet për një ditë.
Përzgjedhja e saj për rolin kishte qenë tashmë mjaft e debatueshme – Julie Andrews, e cila e kishte interpretuar personazhin në skenë, ishte lënë mënjanë – dhe më vonë Hepburni tha se nuk do ta kishte pranuar kurrë rolin po ta kishte ditur se zëri i saj në këngë do të zëvendësohej.
Edhe mbetja jashtë nominimeve për çmimin Oskar e lëndoi thellë, sidomos sepse Julie Andrews fitoi për Meri Popinsin [ Mary Poppins ], ndërsa Zonja ime e bukur dominoi ceremoninë, duke fituar tetë çmime, përfshirë ato për Filmin më të Mirë, Regjinë më të Mirë për George Cukorin dhe Aktorin më të Mirë për Rex Harrisonin.
Kur ndodhi kjo shpërfillje e madhe, Cukori i përcolli asaj një letër ngushëllimi dhe inkurajimi, prej pesë faqesh, të nënshkruar nga Katharine Hepburn dhe Spencer Tracy. Megjithatë, dëmi ishte bërë. Sipas Peter Bogdanovichit, Audrey mbeti “e shqetësuar dhe e brishtë” për periudha të gjata pas daljes së Zonjës sime të bukur .
Është domethënëse që mënyra e vetme për ta bindur që të rikthehej në punë ishte t’i ofroheshin projekte me dy regjisorët të cilëve u besonte më shumë – William Wylerin dhe, për herë të tretë, Stanley Donenin – për filmat Si të vidhni një milion [ How to Steal a Million , 1966] të Wylerit dhe Dy për rrugë [ Two for the Road , 1967] të Donenit.
Holivudi kërkonte nga Audrey një përsosmëri të panjollë, njësoj si Henri Higinsi nga Eliza. Por, më pas e kishte zënë në kurth, e kishte shfrytëzuar dhe e kishte tradhtuar, jo ndryshe nga burrat e saj. Në fund të fundit, romanca e saj me Holivudin zgjati vetëm një dekadë.
