Frika e ka kapluar qytetin e tretë më të madh të Afganistanit së fundi, sepse Qeveria talibane po e zbaton me dhunë një kod më të rreptë veshjeje për gratë.
Anëtarët e policisë famëkeqe të talibanëve, e ashtuquajtura policia e moralit, kanë arrestuar dhe madje kanë rrahur publikisht gra në qytetin perëndimor të Heratit, duke i akuzuar ato për shkeljen e një urdhri të ri të lëshuar në fillim të qershorit. Ky urdhër ua ndalon grave të shfaqen në publik pa atë që grupi islamist i linjës së ashpër e përshkruan si“hixhab i duhur”.
Gratë që nuk e përfillin këtë urdhër, përfshirë ato që e shfaqin fytyrën ose mbajnë makijazh, do të përballen me masa ndëshkuese, thuhet në direktivë. “Gratë në Herat tashmë mbanin hixhab”, tha një grua në qytet për RadionAzadi të Radios Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar shamisë islame që mbulon kokën dhe qafën.
Gruaja, e cila kërkoi të mbetet anonime nga frika e hakmarrjes, shtoi: “Por, tani talibanët kërkojnë që gratë të mbajnë edhe maskë për fytyrën dhe ta mbulojnë fytyrën plotësisht”. Sipas Kombeve të Bashkuara, forcat e sigurisë së talibanëve arrestuan të paktën 30 gra gjatë javës së parë të urdhrit.
Kufizimet çuan në protesta të rralla publike në Herat më 9 qershor, të cilat u shpërndanë me dhunë nga forcat talibane. Të paktën dy persona u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën gjatë demonstratës, sipas OKB-së. Goditje në kokë me kondakun e pushkës Zbatimi i dhunshëm i kodit të veshjes nga talibanët ka rritur frikën dhe pasigurinë mes grave në Herat.
Disa kanë aq shumë frikë saqë nuk guxojnë as të dalin nga shtëpitë, ndërsa ato që dalin përballen me zemërimin e grupit ekstremist. Anëtarët e policisë së moralit të talibanëve ndalojnë dhe kontrollojnë rregullisht gratë në rrugë, tregje dhe në hyrjet e ndërtesave publike, thanë disa gra për REL-it.
“Edhe ato që janë të mbuluara siç duhet ndalohen nganjëherë dhe merren në pyetje”, tha një grua nga Herati për Radion Azadi të REL-it. Një grua tjetër në qytet tha se talibanët përdorin klerikë nëpër xhami për t’i përhapur mesazhet e tyre. “Në një urdhër thuhej se janë vendosur oficere gra për t’i ndaluar ato që nuk binden”, tha ajo.
“Dhe, paralajmërohej se nëse anëtarët e familjes ose të tjerë përpiqen të ndërhyjnë, edhe ata do të arrestohen”. Grupi i ka zbatuar këto kërcënime. Në zonën JadaeAbresham të Heratit, policia e moralit e talibanëve ndaloi së fundmi një grua në rrugë. Kur të afërmit e saj u përpoqën të ndërhynin, edhe ata u ndaluan, tha një dëshmitar për Radion Azadi.
Në Kvaja Kalla, një zonë tjetër e qytetit, talibanët u përpoqën t’i ndalonin dy vajza të reja edhe pse ato mbanin hixhab, tha një dëshmitar. “Kur njëra prej grave kundërshtoi, oficerët e goditën në kokë me kondakun e një pushke, duke i shkaktuar gjakderdhje.
Ajo u dërgua në një spital aty pranë, por policia e moralit e ndoqi brenda dhe urdhëroi mjekët të mos e trajtonin”, tha dëshmitari për REL-in. “Më pas, oficerët e morën me vete derisa ajo ende po gjakosej”, tregoi ai.
Banorët thonë se Herati, një qytet me rreth 1 milion banorë pranë kufirit me Iranin, është bërë i heshtur sepse gjithnjë e më shumë gra qëndrojnë brenda nëpër shtëpitë e veta. “Këto janë ditë tepër të vështira për gratë dhe vajzat në Herat”, tha një grua tjetër. “Qyteti ka rënë në heshtje. Vajzat e reja kanë shumë frikë të dalin nga shtëpitë e tyre”.
Një version ekstrem i islamit Gratë kanë bartur barrën më të madhe të përpjekjeve të talibanëve për ta zbatuar me forcë versionin e tyre ekstrem të Islamit në këtë vend të shkatërruar nga lufta. Grupi pothuajse i ka fshirë gratë nga jeta publike dhe ka vendosur kufizime të rënda mbi pamjen e tyre, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për të punuar dhe studiuar.
Si talibanët censurojnë jetën e afganëve? Në vitin 2024, talibanët miratuan një ligj mbi moralin që kërkon që gratë të mbulojnë plotësisht fytyrën dhe trupin kur ndodhen në publik. Megjithatë, zbatimi i ligjeve të grupit ka qenë i çrregullt dhe i pabarabartë në të gjithë vendin me rreth 40 milionë banorë, duke e lënë shpesh në dorën drejtuesve lokalë talibanë të vendosin.
Shumë gra afgane mbajnë hixhab. Përveç kësaj, disa gra mbajnë maskë për fytyrën për të fshehur hundën dhe gojën. Gra të tjera veshin burka ose abaja islame dhe nikab, që mbulojnë flokët, trupin dhe pjesën më të madhe të fytyrës. Kjo e fundit është e zakonshme në vendet arabe të Gjirit Persik.
Gratë afgane, veçanërisht ato në zonat urbane, e konsiderojnë burkën dhe nikabin si elemente të huaja për kulturën afgane. Para rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021, shumë gra mbanin shamia të lirshme që mbulonin vetëm flokët e tyre.
