Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka regjistruar dhe evidentuar në mënyrë të plotë pasuritë që menaxhon, duke bërë që vlera e tyre të paraqitet më e ulët në pasqyrat financiare. Kështu ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në auditimin e performancës për vitin 2025 për këtë institucion.
Sipas auditorëve, mangësitë në regjistrimin e pasurive kanë ndikuar që pasuritë e ministrisë të nënvlerësohen për 87 mijë e 340 euro, ndërsa në disa raste janë konstatuar edhe mungesa të plota të regjistrimit të pronave dhe pajisjeve.
Një nga gjetjet më të theksuara lidhet me Agjencinë Pyjore të Kosovës, ku në regjistrin zyrtar të pasurive në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK) nuk figuron asnjë pronë pyjore e regjistruar.
Auditorët kanë verifikuar një parcelë kadastrale prej 2 mijë metrash katrorë në zonën e Rahovecit, e cila është në pronësi të agjencisë dhe ishte dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Ekonomisë në vitin 2023, por nuk figuron në regjistrat përkatës.
Probleme janë evidentuar edhe në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), ku sistemi elektronik për menaxhimin e pasurisë nuk ka qenë funksional. Për pasojë, pajisje dhe inventar të blera nuk janë regjistruar fare në sistem dhe nuk janë reflektuar në pasqyrat financiare të ministrisë.
Auditorët kanë identifikuar se blerjet e kompjuterëve dhe monitorëve në vlerë prej 38 mijë e 10 eurosh, si dhe mobiljet në vlerë prej 14 mijë e 835 eurosh, nuk ishin regjistruar në sistemin e pasurisë. Një tjetër parregullsi është gjetur te projekti për rehabilitimin e rrjetit rrugor në zonat vreshtare të Kosovës.
Sipas auditorëve, ndonëse komisioni kishte pranuar punime në vlerë prej 344 mijë e 956 eurosh, në sistem ishte regjistruar vetëm shuma prej 310 mijë e 461 eurosh.
ZKA vlerëson se këto mangësi kanë ardhur si rezultat i mosfunksionalizimit të sistemit elektronik të pasurisë në AZHB, por edhe për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme të brendshme dhe moszbatimit të plotë të procedurave për regjistrimin e pasurive.
“Gabimet në regjistrim, mosregjistrimi i plotë dhe i drejtë i pasurisë kanë ndikuar në nënvlerësimin e regjistrave të pasurive dhe në prezantimin e informatave jo të sakta në pasqyrat financiare vjetore”- thuhet në raportin e auditimit.
Auditorët i kanë rekomanduar ministrit dhe drejtuesve të agjencive që të forcojnë kontrollet e brendshme, të sigurojnë regjistrimin e plotë dhe të saktë të pasurive, si dhe të funksionalizojnë sistemin elektronik të pasurisë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Ministria e Bujqësisë është pajtuar me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Kjo ministri ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori. ZKA jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raport i ZKA-së për ministrinë ka rezultuar me 15 rekomandime. Prej tyre, 9 janë rekomandime të reja, 5 janë të përsëritura dhe një rekomandim është pjesërisht i përsëritur.
Në raportin e auditimit në vitin 2024, kjo ministri kishte marrë 8 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .
