Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe që u mundëson anëtarëve të familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse gjatë periudhës së shërbimit në vendin pritës.
Marrëveshja u firmos nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Nikolaus Marschik.
Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja synon të krijojë kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve, duke lehtësuar integrimin e tyre dhe qëndrimin gjatë misioneve diplomatike.
Pas nënshkrimit, palët zhvilluan një takim ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit bilateral, marrëdhëniet ekonomike dhe institucionale, si dhe zhvillimet politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Në kuadër të vizitës u mbajtën edhe konsultime politike mes ministrive të jashtme të dy vendeve, ku u trajtuan marrëveshjet në proces, organizimi i një forumi të ardhshëm ekonomik Kosovë–Austri dhe progresi i Kosovës në rrugën e integrimit evropian. Të dyja palët rikonfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit përmes nismave të reja konkrete.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
