Haxhiu: Pas konstituimit të Kuvendit, mandatohet kandidati për kryeministër

0%

Shpërndaje në: Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas konstituimit të Kuvendit, kryetari apo kryetarja e re e Kuvendit do ta ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër.

Në javët e fundit janë ngritur dilema lidhur me rendin e hapave institucionalë pas konstituimit të Kuvendit, përkatësisht nëse fillimisht duhet të zgjidhet presidenti apo të mandatohet dhe zgjidhet qeveria.

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, në një intervistë për KTV para dy javësh, kishte vlerësuar se në rrethanat aktuale fillimisht duhet të zgjidhet presidenti, ndërsa më pas të formohet qeveria nga ata që kanë shumicën parlamentare. E pyetur nëse do ta kenë të drejtën kushtetuese për ta mandatuar kandidatin për kryeministër pas konstituimit, Haxhiu u shpreh e bindur që po.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Le ta konstituojmë Kuvendin, le ta zgjedhim Qeverinë dhe menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit ose kryetarja, kushdo që të jetë, do ta ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër”, ka thënë Haxhiu të enjten.

Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, ajo ka bërë të ditur se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit do të nisin takimet me partitë politike për të arritur një konsensus.

“Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve dhe pastaj pas certifikimit të rezultateve natyrisht që do të ketë takime me partitë politike dhe urojmë që ta gjejmë një konsensus në mënyrë që ta votojë Kuvendi i Republikës së Kosovës presidentin me mandat pesëvjeçar”, ka deklaruar ajo. E pyetur nëse do të jetë kandidate për presidente, Haxhiu e ka mohuar një mundësi të tillë.

“Jo, nuk do të jem kandidate për presidente”, është përgjigjur shkurt ajo. Sipas rezultateve të 7 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7. Për zgjedhjen e presidentit duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë, ndërsa qeveria formohet me shumicën e thjeshtë (61).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka shpallur rezultatet përfundimtare. Aktualisht, në Gjykatën Supreme po trajtohen dy ankesa të kandidatëve të PDK-së, Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu, të cilët kanë kërkuar rinumërim të votave të partisë së tyre. Ankesat u patën hedhur poshtë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Nëse edhe Supremja i hedh poshtë, atëherë hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare e më pas certifikimin e tyre.

Burimi: Koha