Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj të pandehurit E.H., për veprën penale “Përgatitja e veprës penale Vrasje e Rëndë”. Këtë e ka njoftuar Prokuroria Speciale.
“Sipas aktakuzës, E.H. dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet tij dhe të dëmtuarit M.D., kishte planifikuar privimin nga jeta të të dëmtuarit, duke përfshirë marrëveshje për shpërblim financiar, koordinim lidhur me mënyrën, kohën dhe vendin e kryerjes së veprës, si dhe sigurimin e armës që do të përdorej për realizimin e saj”, – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Gjithashtu në këtë komunikatë thuhet se Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohen sanksionet e parapara me ligj.
