Zvicra e ka mbyllur me sukses fazën e grupeve në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Kanadanë me rezultat 2-1 dhe duke siguruar vendin e parë në grup me shtatë pikë. Kanadaja, pavarësisht humbjes, kalon në fazën e eliminimit direkt si e dyta me katër pikë. Helvetikët dominuan pjesën më të madhe të takimit dhe shpërblyen paraqitjen e tyre menjëherë në fillim të pjesës së dytë.
Në minutën e 46-të, Johan Manzambi shërbeu bukur për Ruben Vargas, i cili realizoi për 1-0 me një goditje të saktë që u ndihmua edhe nga shtylla. Kanadaja tentoi të reagojë, por Zvicra vazhdoi të ishte skuadra më e rrezikshme. Në minutën e 57-të erdhi edhe goli i dytë, kur Breel Embolo asistoi për Johan Manzambin, i cili finalizoi me qetësi për të dyfishuar epërsinë.
Skuadra e Jesse Marsch nuk u dorëzua dhe u rikthye në lojë në minutën e 76-të. Nathan Saliba dërgoi një top të saktë në zonë, ndërsa Promise David shënoi për 2-1, duke rritur emocionet në minutat e fundit. Kanadezët patën një mundësi të artë në kohën shtesë për të barazuar rezultatin.
Pas një krosimi që kaloi portierin Gregor Kobel, Derek Cornelius u gjend përballë portës së zbrazët, por çuditërisht e dërgoi topin jashtë. Një nga figurat kryesore të ndeshjes ishte Johan Manzambi, i cili regjistroi një gol dhe një asistim, duke udhëhequr Zvicrën drejt fitores dhe vendit të parë në grup.
Kapiteni Granit Xhaka zhvilloi një tjetër paraqitje solide në mesfushë, duke kontrolluar ritmin e lojës dhe organizuar aksionet e skuadrës së Murat Yakinit. Me këtë fitore, Zvicra e përfundon fazën e grupeve me 7 pikë në krye të grupit, ndërsa Kanadaja mbyll garën në vendin e dytë me 4 pikë. Të dyja kombëtaret vazhdojnë rrugëtimin në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës 2026.
Standings provided by Sofascore
