Haxhiu kërkon reagim ndërkombëtar për kërcënimin e Vuçiqit që t’i

0%

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër përbëjnë shqetësim serioz për Kosovën dhe duhet të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.

Duke folur për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës, Haxhiu u ka bërë thirrje diplomatëve kosovarë që t’i informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat e mundshme të çdo ndërhyrjeje në rrjedhat ujore ndërkufitare.

Ajo ka theksuar rëndësinë strategjike të sistemit Ibër-Lepenc dhe liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. “Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë ndërkombëtarë janë deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi strategjik për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës”- ka thënë Haxhiu në hyrje të konferencës të ambasadorëve më .

Sipas saj, çdo ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare nuk do të ishte vetëm çështje teknike, por do të mund të kishte pasoja në sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës.

“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë”- ka deklaruar ajo.

Haxhiu u ka kërkuar diplomatëve kosovarë që këto deklarata t’i përcjellin në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për pasojat e mundshme të një veprimi të tillë.

“Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla, që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”- ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kosova pret nga partnerët ndërkombëtarë që çdo veprim që mund të rrezikojë burimet ujore jetike të vendit të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Duke folur për raportet me Serbinë, Haxhiu ka deklaruar se Beogradi duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe qytetarëve, si dhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radojçiq dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1,500 personave të zhdukur në vend gjatë luftës”- ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, adresimi i këtyre çështjeve është i domosdoshëm për çdo proces që synon normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Haxhiu ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998-1999.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë edhe në një lokacion tjetër të dyshuar për varrezë masive, duke kërkuar nga Serbia që të hapë arkivat për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. “Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre ende pret përgjigje.

Prandaj, duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hapë arkivat”- ka deklaruar Haxhiu. Ajo ka vlerësuar se çështja e personave të zhdukur dhe përgjegjësia për krimet e luftës duhet të mbeten pjesë e vazhdueshme e komunikimit të diplomacisë kosovare me partnerët ndërkombëtarë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, citohet të ketë deklaruar se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të siç tha – qëndrimit të autoriteteve kosovare ndaj popullit serb në Kosovë. “Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë.

Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen” – citohet të ketë deklaruar Vuçiq të dielën, më , gjatë vizitës së punimeve në Urën e Vjetër Hekurudhore në Beograd.

Burimi: Kallxo