Shpërndaje në: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se Irani i ka thënë Shteteve të Bashkuara se nuk po kërkohen taksa për anijet që udhëtojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Të dy vendet, të cilat përfunduan rundin e parë të negociatave në Zvicër të hënën, kanë ofruar shpjegime kontradiktore në lidhje me stimujt financiarë për Iranin, kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe luftën paralele të Izraelit në Liban, të gjitha aspekte kryesore të marrëveshjes së tyre kornizë të nënshkruar javën e kaluar që synon t’i japë fund luftës.
Trumpi është përballur me kritika për marrëveshjen brenda vendit, përfshirë edhe nga përfaqësuesit e vijës së ashpër në Partinë e tij Republikane.
“Irani e ka informuar SHBA-në se pavarësisht lajmeve të rreme që raportojnë për të kundërtën, nuk ka taksa, kosto të sigurimeve apo asnjë pagesë tjetër të asnjë lloji që po kërkohet apo merret nga Irani, për anijet që udhëtojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Nëse kjo është një informatë e rreme, negociatat do të duhej të përfundonin menjëherë”, ka shkruar Trumpi në Truth Social të mërkurën.
Ai ka shtuar se asnjë qindarkë nuk i është dhënë Iranit nga SHBA-ja. “Ne do të lirojmë disa nga paratë e tyre, të cilat kontrollohen plotësisht nga ne, për fermerët dhe blegtorët tanë, për blerjen e misrit, grurit, sojës dhe më shumë”, ka shkruar ai.
