Policia Rajonale në Ferizaj ka intensifikuar aktivitetet në terren gjatë 24 orëve të fundit, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe janë raportuar dy aksidente trafiku me dëme materiale, ndërsa njësitet policore kanë shqiptuar gjithsej 224 gjoba kundërvajtëse ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Gjobat e shqiptuara ndahen në disa kategori, ku 74 raste kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë, 31 për mosrespektim të shenjave të komunikacionit dhe 27 për parkim të parregullt.
Po ashtu, 17 gjoba janë shqiptuar për qarkullim me afat të skaduar të regjistrimit të mjeteve, 11 për drejtim të automjetit pa patentë shofer dhe 4 për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, ndërsa 60 raste të tjera përbëjnë kundërvajtje të ndryshme. Si rezultat i shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut, policia ka konfiskuar dy automjete dhe pesë skuterë apo motoçikleta.
Policia Rajonale në Ferizaj u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve. / Telegrafi
