Shpërndaje në: Përplasje e re ka nisur në Lidhjen Demokratike, tek i cili subjekt politik janë dhënë sinjale për mundësinë që t’i bashkohet Vetëvendosjes në koalicion qeverisës. Një ditë më parë, tri degë kërkuan dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, e të mërkurën këtë e kërkoi edhe deputetja e zgjedhur, Hykmete Bajrami.
Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ai e Abdixhiku janë të vetmit që mund të jenë kandidatë për president dhe të sigurojnë të gjitha votat e deputetëve të LDK-së “Bashkimin e madh të së djathtës” e ka sfiduar rezultati që ka marrë Lidhja Demokratike (LDK) në zgjedhjet e 7 qershorit.
Kërkesat për dorëheqje të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, e kanë nxjerrë jashtë lojës edhe kandidaturën për presidente të “simbolit” të bashkimit të LDK-së, Vjosa Osmani, e cila u rikthye në parti dhe i priu listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit.
LDK-ja mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie. E, në mesin e emrave, nuk është Osmani, të cilën në fushatë LDK-ja e prezantoi si kandidate për presidente. “Në rast se ky emër është Lumiri ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar.
Pas Lumirit, konsensus më të madh kam unë”, theksoi Haziri. Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, si kandidat për kryeministër. E, në një sqarim që e bëri për këtë deklaratë, Haziri theksoi se Osmani mbetet kandidate për presidente. “Asgjë s’ka ndryshu.
Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së. Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”, ka shkruar Haziri në sqarim, por nuk e ka mohuar se konsensusi në parti është vetëm për të dhe Abdixhikun.
Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj. “Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.
Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”. Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizja Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale. “Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së].
Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë. Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.
Gërvalla në një intervistë për KTV-në, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”. Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vet parlamentar”, ka thënë ajo në KTV.
Gërvalla drejton partinë Guxo, që doli si fraksion i ndarë nga LDK-ja me në krye Osmanin. Deklarimin ajo e bëri pak orë pasi tri degë të LDK-së kërkuan një natë më parë dorëheqjen e Abdixhikut: Dega e Pejës, ajo e Lipjanit, si dhe dega e dytë në Prishtinë.
Dega e LDK-së në Pejë, ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe me shumicë votash kanë kërkuar nga lidershipi i LDK-së, të japë dorëheqje si akt moral, gjegjësisht nga kryetari Lumir Abdixhiku. Në njoftimin e degës së LDK-së në Pejë, thuhet se kanë vlerësuar që përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.
Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në postimin në Facebook. Edhe kryesia e degës së LDK-së në Lipjan ka mbajtur një mbledhje me kryetarët e nëndegëve për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit me ç’rast edhe kjo degë po kërkon dorëheqjen e Abdixhikut.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e degës kërkon dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Kjo kërkesë e degës së LDK-së në Pejë dhe asaj në Lipjan për dorëheqjen e Abdixhikut është shpërndarë nga Arben Gashi i cili ka siguruar votat për të qenë deputet i legjislaturës së 11-të nga radhët e kësaj partie. Ndërkohë në deklaratën e degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, thuhet se partia po kalon një nga periudhat më të vështira në histori.
“Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese.
Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”, thuhet në njoftim. Dega e Pejës drejtohet nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, ndërsa ajo e Lipjanit, po ashtu nga kryetari i komunës, Imri Ahmeti. Të dy kanë mbajtur funksione të larta në forumet qendrore të partisë.
Por, atyre u është kundërpërgjigjur Abdixhiku, duke thënë se LDK-ja ka performuar më së dobëti në këto dy komuna në zgjedhjet e 7 qershorit dhe ka kërkuar dorëheqjen e tyre morale. “Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.
Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, është thënë në reagimin e Abdixhikut.
E të mërkurën, atij dorëheqjen ia ka kërkuar edhe deputetja e zgjedhur, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja. “E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë. Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim”, ka shkruar ajo në një reagim të publikuar në rrjete sociale.
“Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme”. Ajo ka rikujtuar se kryetari i LDK-së vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend.
“Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë. Qëndrimi im nuk ka ndryshuar”, ka thënë Bajrami.
“LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh”. Bajrami ka dalë prej deputetëve më të votuar brenda LDK-së. Në zgjedhjet e 7 qershorit doli e katërta, ndonëse nuk u listua në dhjetëshen e parë të kandidatëve.
Megjithatë, Abdixhiku ka edhe mbështetës. Ai mori mbështetje nga kryetari i degës IV në Prishtinë, Besian Mustafa, ai i degës së Istogut, Ilir Ferati dhe kryetari i degës së Suharekës, Ardian Shala. Nënkryetarja e partisë, Doarsa Kica, ka reaguar duke thënë se rezultati kërkon reflektim, por që bashkon e jo copëton partinë.
Tek bëri thirrje për unitet, Kica Xhelili ka thënë që nuk duhet të lejohet që LDK-ja të përçahet. Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri ka thënë për REL-in se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.
Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së. Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.
Për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para të votimit, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.
