Një rast i pazakontë është raportuar në Obiliq, ku një person i lënduar dyshohet se është strehuar në një shtëpi, pasi kishte kërcyer nga një veturë për t’iu shmangur disa personave ende të panjohur, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali. Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 23 qershor, rreth orës , në rrugën “Viktoria”, në fshatin Mazgit.
Burimet bëjnë të ditur se Policia është njoftuar për një person të gjakosur, i cili ishte strehuar në shtëpinë e një banori të zonës. I dyshuari F.R., pas marrjes së tretmanit mjekësor në QKUK, është shoqëruar për intervistim në Stacionin Policor në Obiliq.
Gjatë intervistimit, ai dyshohet se ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje me disa persona, i është shmangur rrezikut duke kërcyer nga vetura e të dyshuarve, për momentin të panjohur. Më pas, i njëjti dyshohet se është strehuar në një shtëpi afër, duke hapur me forcë dyert e objektit dhe duke shkaktuar dëme materiale.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur një karikator të AK-47 dhe 15 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilët dyshohet se i kishte me vete i dyshuari. Pas konsultimit me Prokurorin kompetent, rasti është iniciuar për veprat penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
