“Cikli ‘Mirdita – Intervista’ i Gjon Markut si burim për historinë, kulturën dhe identitetin e Mirditës”

0%

Mirdita – Intervista I Gjon Marku, shkrimtari, publicisti, eseisti, studiuesi dhe etnografi, ka ndjekur një rrugë krejt të veçantë për realizimin e librave të tij “Mirdita intervista”.

Ai ka menduar që hapësirën e Mirditës ta vërë në vështrimin e njerëzve të shquar, intelektualë e krijues nga i gjithë vendi, nëpërmjet intervistave, duke vjelë në mënyrë të lirë çfarë dinë dhe ç’mendojnë për popullatën e Mirditës, sa e njohin atë dhe si e njohin, ç’vlera i japin vendit dhe banorëve të saj, historikisht si i gjykon historia dhe koha mirditorët e prijësit e tyre, marrëdhëniet që kanë pasur me të huajt, prirjen që kanë treguar në mbrojtje të visareve kombëtare dhe rajonale, si janë vetëqeverisur, çfarë ishte kjo principatë e njohur në Europë, për të cilën thuhet se arriti që, për pak muaj, të shpallej edhe republikë e pavarur; çfarë marrëdhëniesh kishte krijuar e mbajtur kjo trevë e gjerë me krahinat e tjera të vendit e më tej; a është dalluar mirditori për trimëri e qëndresë gjatë pushtimit të gjatë osman, më vonë gjatë pushtimeve të tjera; a ka qenë dhe pse ndonjëherë në pozita luftëtari ndaj Portës së Lartë, Ali Pashës, Austro-Hungarisë etj.

Kështutu do të nisiw pasqyrimin e mendimit intelektual të disa figurave të njohura në lëmenj të ndryshëm të artit, letërsisë, gazetarisë, teatrit, diplomacisë dhe jetës shtetërore të vendit, si në pushtetin vendor ashtu edhe në atë qendror, pa anime krahinore apo partiake.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai sjell në thelb fjalën dhe opinionin që kanë shprehur për psikologjinë e banorëve, virtytet, por pse jo edhe cenet, për të cilat thuhet dhe është provuar se karakterizohen; aftësitë dhe zgjuarsinë që shfaqin në veprimtarinë e tyre; normat morale e shoqërore që vënë në jetë, si dhe dukuri të tjera, të cilat lexuesi mund t’i prekë konkretisht nëpërmjet intervistave, bazuar në pyetjet që u ka parashtruar autori i këtyre përmbledhjeve kaq të vëllimshme.

Në vëllimin e parë që kemi në dorë, me titullin “Mirdita -I: Intervista”, (1) autori, ende në hapat e parë të kësaj gjinie publicistike, ka mundur të takojë 18 personalitete të ndryshme nga fusha e letërsisë, albanologjisë, historisë, arkeologjisë, folkloristikës, si dhe klerikë të vjetër e të rinj, vendas e të huaj.

Për më tepër, ai ka intervistuar edhe katër dijetarë nga Austria, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Norvegjia, të cilët e kanë njohur dhe studiuar historinë shekullore të popullit tonë.

Lexuesit do t’i bëjë përshtypje jo vetëm shumësia e temave të intervistave, por edhe formulimi kaq i përpiktë dhe në përputhje me specialitetin e të intervistuarve, duke arritur të vjelë mendime shumë interesante si: “Mirdita, krahinë qendrore e shtetit të Arbërit”, “Topografia e Lezhës”, “Mirdita – shtyllë e katolicizmit”, “Minierë e pashtershme vlerash”, “Mirdita: mite dhe histori”, “Mirdita, jetë dhe ar, edhe art”, “Pasioni i mirditorëve”, “Mirdita – shteti etnokulturor” etj.

Po aq koherente janë edhe temat e drejtuara klerikëve, si dhe trajtesat e katër studiuesve të huaj, të cilat vijnë të menduara e të strukturuara me kujdes.

Me qëllim që lexuesi të marrë kuintesencën e mendimit të secilit prej këtyre dijetarëve, të thelluar në njohuritë për trevën e Mirditës, pa rënë në rimarrje apo përsëritje të mundshme, pasi të gjithë kanë si objekt të njëjtën hapësirë gjeografike, me të njëjtën psikologji kolektive dhe me të njëjtën histori, do të shmang edhe të dhënat biobibliografike, të cilat, në fund të fundit, janë pjesë përbërëse e logosit të intervistës.

Herë pas here do të shënojmë edhe pyetjen e autorit, për të gjykuar më mirë synimet e tij në këtë përmbledhje. Të gjitha vjeljet që ka bërë autori i vlejnë jo vetëm shkëlqimit të Mirditës, si emër dhe komunitet i fuqishëm i shpërndarë ndër male, por, mbi të gjitha, lexuesit tonë, për t’u njohur me prurjet e mençura të dijetarëve të rreshtuar këtu. Zgjedhja është e lexuesit.

Ata që do t’u shkojnë deri në fund këtyre vëllimeve do të njihen me mendjet më të ndritura në shumë fusha e këndvështrime, nga të cilat është vështruar dhe interpretuar Mirdita.

MIRDITA – INTERVISTA II (2) Brenda një viti, autori arrin të vjelë e të përmbledhë edhe vëllimin e dytë me intervista, ku pasqyron fjalën dhe mendimin e 17 intelektualëve nga fusha të ndryshme të dijes: etnografë, shkrimtarë, albanologë, klerikë të lartë, arkeologë, poetë, historianë, genetistë, biografë e pedagogë shqiptarë, si dhe dy studiues të huaj nga bota gjermanike.

Përzgjedhja e autorit vazhdon të jetë e kujdesshme, me synimin që areali i Mirditës të paraqitet në një vështrim sa më shumëdimensional: që nga historia e kësaj treve, gjetjet arkeologjike, veshjet tradicionale dhe tiparet e tyre, besimi fetar i ngulitur ndër shekuj, forca dhe ndikimi i Kanunit, marrëdhëniet që ka Mirdita me hapësirat dhe banorët përreth, e deri te përfshirja e vëllezërve Gazulli, humanistë e dijetarë, ambasadorë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Po ashtu, nuk lihet jashtë vëmendjes fakti se nga kjo krahinë kanë prejardhjen edhe personalitete aq të shquara sa vëllezërit Mjeda. Nga të intervistuarit do të sjellim për lexuesin disa prej mendimeve më përfaqësuese, kryesisht në fusha e problematika që nuk janë trajtuar në vëllimin e parë.

MIRDITA -INTERVISTA III (3) Nuk ka të ndalur Gjon Marku, i prirur të kërkojë e të zbulojë, të sistemojë e të publikojë vlera të krahinës historike të Mirditës. Ai kujdeset që të mos përsëriten të njëjtat vlerësime apo atribute dhe, ndër dijetarët tanë, zgjedh pikërisht ata që kanë mundësi të sjellin fakte, këndvështrime dhe interpretime të reja, ndryshe nga ç’është thënë e shkruar më parë.

Brenda një komuniteti me tipare të veçanta historike e kulturore, siç është ai i Mirditës, vëmendja e studiuesve shtrihet nga psikologjia shoqërore deri te psikologjia e individit, si dhe te vetitë morale që e karakterizojnë atë. Në ndërgjegjen dhe kujtesën e një numri të madh dijetarësh ka trokitur autori ynë, duke mbledhur një galeri të pasur mendimesh e dëshmish.

Prej tyre, unë kam marrë lirinë të përzgjedh disa nga më përfaqësuesit, ndonëse të gjithë ata që përfshihen në “Intervista III”, siç thonë mirditorët, janë “për krye të vendit”, ashtu si të ftuarit më të nderuar që zënë vend në sofrën tradicionale të mikpritjes. Kjo përmbledhje përmban 15 intervista.

Në tërësi, cikli “Mirdita – Intervista” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore të Mirditës.

Përmes dëshmive dhe vlerësimeve të personaliteteve të ndryshme, autori ka krijuar një korpus të pasur burimesh, i cili mund të shërbejë si referencë e vlefshme për studimet e mëtejshme mbi këtë krahinë dhe rolin e saj në historinë shqiptare. LITERATURA; 1. Gjon Marku, Mirdita-I, Intervista, shtypur në GEER, Tiranë, 2002. 2.

Gjon Marku, Mirdita-II, Intervista, shtypur në GEER, Tiranë, 2003. 3. Gjon Marku, Intervista III, Intervista, shtypur në GEER, Tiranë, 2004.

Burimi: Bota Sot