Dimal Basha, ministri në detyrë i Infrastrukturës, ka ndarë detaje nga raporti i Policisë në lidhje me aksidentin tragjik që ndodhi para dhjetë ditësh, në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në të cilin humbi jetën një qytetare.
Sipas Bashës, para përfundimit të hetimeve zyrtare, qarqe të caktuara me tendenca për të përfituar nga secili rast për të lëshuar akuza ndaj Qeverisë, u sulën për ta paraqitur këtë tragjedi si pasojë të rrëshqitjeve të dheut e si rezultat i mosveprimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
“Sot, Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore.” – ka shkruar Basha në Facebook.
Basha shton se raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit. “Këto janë gjetje zyrtare të organeve kompetente. Kjo nuk e zvogëlon dhimbjen për jetën e humbur, por është me rëndësi që të dihet dhe të raportohet e vërteta.
Faktet zyrtare tashmë i kanë rrëzuar pretendimet false dhe akuzat e atyre që u përpoqën të përfitonin politikisht nga ajo fatkeqësi njerëzore.” – ka thënë ai.
Basha shprehet që “të jetë ky mësim për të gjithë se tragjeditë e tilla nuk duhet të përdoren për propagandë politike dhe as për përfitime mediatike.” “Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes të së ndjerës dhe qoftë i përhershëm kujtimi i saj.” – ka përfunduar ministri Basha.
KALLXO.com raportoi më , dy ditë pas aksidentit, për një përplasje online në mes Bashës dhe Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës. Më , ministri Basha ka thënë se nuk ka përplasje me Ramën, por se kryetari i Prishtinës i ka bërë dy shpifje. “E para ka qenë se aksidentin ka deshtë me ia mveshë dheut në autostradë. Siç e dini, aty rruga ka qenë e pastruar. Nuk ka ardhë si pasojë e dheut.
Shpifja e dytë e tij, e kryetarit Rama, është diçka e papranueshme, kur mundohet me politizu me tragjedinë në rrugë” – pati hënë Basha pas fillimit të punimeve për rikonstruktimin e rrugës rajonale Arllat–Malishevë. “Pastaj [raporti] e tregon gjithë të vërtetën. Por, politizimet me vdekjet në rrugë janë të papranueshme për gjithkënd”- shtonte Basha.
Në raportin e Policisë, të publikuar më , thuhet se aksidenti është shkaktuar pasi drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin. “I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar automjetin dyshohet se ka humbur kontrollin, me ç’rast ka shkaktuar aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekje prurëse ka pësuar pasagjerja viktima femër kosovare, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku.
Lëndime po ashtu ka pësuar edhe i dyshuari i cili është duke u trajtuar në QKUK, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion” – thuhej në raport. Kryetari i Prishtinës, pas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës për nënshkrimin e kontratave në vlerë prej 4.67 milionë eurosh për sanimin e skarpateve në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Rama e ka lidhur këtë zhvillim me aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në këtë autostradë. Ai ka thënë se “kjo është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë”.
