Komuna e Drenasit gjatë vitit 2025 ka inspektuar vetëm 1 mijë e 657 prona, nga 17 mijë e 605 pronat e regjistruara, apo vetëm rreth 9 % të tyre, ndonëse ligji obligon komunat që çdo vit të verifikojnë të paktën 20% të objekteve në territorin e tyre. Kjo është një nga gjetjet e evidentuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për Komunën e Drenasit për vitin 2025.
Sipas auditorit, mosrealizimi i nivelit të kërkuar të inspektimeve ka ardhur si pasojë e fokusimit të ulët në aktivitetet e verifikimit, si dhe vështirësive teknike në funksionimin e programit të ri të tatimit në pronë.
“Mosrealizimi i verifikimeve në nivelin e kërkuar rrit rrezikun që të dhënat për pronat të mos jenë të plota dhe të sakta, duke ndikuar në identifikimin e ndryshimeve në prona dhe rrjedhimisht edhe në llogaritjen dhe inkasimin e drejtë të tatimit në pronë”- thuhet tutje në raport.
Për këtë çështje, auditori i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Drenasit që të rrisë aktivitetet për verifikimin e pronave të paluajtshme, në mënyrë që ndryshimet eventuale të integrohen në bazën e të dhënave dhe të reflektojnë detyrimin e saktë tatimor. Sipas raportit, menaxhmenti i komunës është pajtuar me këtë gjetje. Komuna e Drenasit ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori.
Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raporti i ZKA-së për Komunën e Drenasit ka rezultuar me 12 rekomandime, prej tyre 6 janë rekomandime të reja, 5 janë të përsëritura dhe 1 është pjesërisht i përsëritur. Në raportin e auditimit në vitin 2024, Komuna e Drenasit kishte marrë 11 rekomandime.
Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU.
