Dogana e Kosovës ka nisur sot një aksion të gjerë në sektorin e argjendarisë, me kontrolle që po zhvillohen njëkohësisht në disa lokacione në rajonin e Prizrenit, merr vesh Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se cak i aksionit janë gjithsej katër argjendari – tri në Prizren dhe një në Suharekë, ku zyrtarët doganorë po kryejnë kontrolle lidhur me dyshimet për mall të kontrabanduar dhe mall të padeklaruar.
EKSKLUZIVE | Dogana zbarkon në argjendarinë e Zef Grudës në Prizren – nën llupë malli i dyshuar si i kontrabanduar dhe i padeklaruar Në mesin e lokacioneve që po kontrollohen në Prizren është edhe argjendaria e Zef Grudës.
Sipas informacioneve të para, në fokus të zyrtarëve doganorë është prejardhja e mallit, dokumentacioni përcjellës dhe verifikimi nëse produktet e gjetura janë futur dhe qarkulluar në përputhje me procedurat dhe detyrimet doganore.
Aksioni është ende duke vazhduar, ndërsa deri në këtë fazë nuk dihet sasia apo vlera e mallit që mund të jetë gjetur pa dokumentacion përkatës dhe nëse është bërë sekuestrimi i tij. Sinjali ka provuar te kontaktojë edhe Doganën e Kosovës dhe është në pritje të informacioneve zyrtare lidhur me aksionin. Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja.
Pamje nga aksioni: Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
