Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Kompozitorja nga Kosova, Anda Kryeziu, ka shënuar një prej momenteve më të rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik.
Në Sallën e Filharmonisë të Kölnit, u dha premiera botërore e veprës së saj për orkestër “Timestamps – Everything Leaves a Trace”, interpretuar nga Orkestra e transmetuesit publik WDR në Köln nën dirigjimin e dirigjentit amerikan, Jonathan Stockhammer.
Në një nga skenat më prestigjioze të muzikës klasike në Gjermani, kompozitorja nga Kosova, Anda Kryeziu, ka shënuar një prej momenteve më të rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik.
Ditë më parë, në Sallën e Filharmonisë të Kölnit, u dha premiera botërore e veprës së saj për orkestër “Timestamps – Everything Leaves a Trace”, interpretuar nga Orkestra e transmetuesit publik WDR në Köln nën dirigjimin e dirigjentit amerikan, Jonathan Stockhammer.
Për një krijuese të re nga Kosova, prezantimi i një vepre të re në një institucion të këtij niveli shënon edhe depërtimin e kompozitorëve vendorë në qendrat e rëndësishme të muzikës evropiane. Në qendër të veprës qëndron raporti ndërmjet individit dhe kolektivit.
Kryeziu e ka ndërtuar konceptin mbi idenë se çdo veprim i njeriut lë gjurmë në shoqëri dhe se identiteti individual formësohet e shfaqet brenda një strukture më të gjerë kolektive. Për ta materializuar këtë ide në gjuhën muzikore, ajo ka zgjedhur një qasje të pazakontë kompozicionale. “Koncepti ka qenë që të demonstroj rolin e individit si pjesë e kolektivit.
Të ilustroj përmes formës muzikore se si çdo akt në shoqëri lë gjurmë. Prandaj, në këtë vepër çdo instrumentist (gjithsecili, pa asnjë përjashtim) në orkestër e luan një solo dhe ngrihet në këmbë për ta ekzekutuar atë. Kjo është një qasje e pazakontë, pasi që zakonisht në orkestër kompozohet në tërësi ose seksione.
Por unë desha patjetër ta implementoj këtë koncept në këtë formë, gjë që ka qenë e pazakontë dhe sfiduese. Në fund e gjithë orkestra ngrihet në këmbë, e orkestruar bashkë me një kreshendo dhe transformim të ambitusit dhe harmonisë, që zhvillohet me një eufori deri në përfundim të veprës”, ka shpjeguar kompozitorja Anda Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KOHËN.
Ideja për ta shndërruar orkestrën në një lloj metafore të shoqërisë i ka rënë në sy kritikës gjermane. Vlerësojnë se “Timestamps – Everything Leaves a Trace” ka qenë një prej veprave më mbresëlënëse të mbrëmjes, duke veçuar mënyrën se si muzika e bën të dukshëm raportin ndërmjet individit dhe kolektivit.
Sipas kritikës, muzikantët që dalin nga masa orkestrale, ngrihen në këmbë për të interpretuar pjesët e tyre solo dhe më pas rikthehen në tërësinë e ansamblit, e materializojnë në mënyrë bindëse këtë ide. “Vepra zhvillohet nga një forcë ritmike shtypëse drejt një pjesëmarrjeje më lirike dhe ekspresive.
Një moment që kritiku e admiron veçanërisht është ai kur instrumentet e tunxhit të regjistrit të ulët dhe violonçelat dalin ‘nga thellësitë’ me një melodi të romantizmit të vonë, ndërsa muzikantët individualë bëhen gradualisht të dukshëm”, ka shkruar kritiku Hartmut Hein në revistën “Klassik.com”. Po ashtu, vepra është vlerësuar për fuqinë e saj emocionale dhe fizike.
Hyrja është përshkruar si agresive dhe përfshirëse, ndërsa pesë minutat e para janë konsideruar më të fuqishme në sallën e koncertit sesa në çdo incizim.
Gjithashtu, është vlerësuar struktura dramatike e veprës, që kalon nga tensioni ritmik drejt lirizmit më të thellë, si dhe për nga aspekti teatror i ngritjes në këmbë të muzikantëve, i cili është konsideruar domethënës e jo thjesht efekt skenik. Vlerësimi më domethënës ka qenë se “Anda Kryeziu u ka dhënë alegorive të vjetra orkestrale një formë individuale plotësisht bindëse”.
Për vetë kompozitoren Kryeziu, pritja e publikut ka qenë një prej momenteve më emocionuese të premierës. “Publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë, me eufori dhe emocione të mëdha. Shumica kanë ardhur me sy gati të përlotur, me shumë emocione, duke thënë se muzika, koncepti, si dhe mesazhi i veprës i ka bërë të ndiejnë shumë.
Gjithashtu, kam marrë mesazhe emocionuese prej shumë kolegëve”, ka thënë ajo. Ajo e ka cilësuar bashkëpunimin me Orkestrën Filarmonike të WDR Köln si realizim të një ëndrre artistike.
“’WDR Orkester’, është një orkestër fenomenale, bashkë me dirigjentin amerikan, Jonathan Stockhammer i cili është një dirigjent unik, me një qasje të veçantë ndaj muzikës dhe tingullit, si dhe WDR si Radio-Institucion shumë i rëndësishëm në Gjermani. Ka qenë një ëndërr e imja të krijoj një vepër të kësaj shkalle për këto institucione dhe të punoj me këta muzicientë.
Gjithashtu, fakti që premiera ishte në Filharmoninë e Kölnit, një sallë gjithashtu fantastike, ka qenë diçka shumë e veçantë për mua. Këto të gjitha pika kanë qenë për mua një arritje e madhe dhe jam shumë e lumtur”, ka thënë Kryeziu. Orkestra Filarmonike e “WDR Köln” konsiderohet një prej ansambleve më të rëndësishme simfonike në Evropë.
E themeluar pas Luftës së Dytë Botërore si orkestër e transmetuesit publik gjerman, “Westdeutscher Rundfunk”, ajo është shquar për interpretimet e repertorit klasik, por veçanërisht për mbështetjen e muzikës bashkëkohore dhe premierat e veprave të reja.
Koncertet e saj transmetohen rregullisht në radio dhe televizion, duke i dhënë një shtrirje të gjerë publike krijimeve të kompozitorëve bashkëkohorë. Po aq prestigjioze është edhe Salla Filarmonike e Kölnit, e njohur si një nga hapësirat koncertale me akustikën më të vlerësuar në Gjermani.
E vendosur pranë Katedrales së famshme të Kölnit, ajo pret rregullisht orkestrat më të njohura të botës, dirigjentë e solistë të nivelit më të lartë ndërkombëtar. Vepra “Timestamps – Everything Leaves a Trace” është kompozuar gjatë dimrit të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026, siç ka bërë me dije autorja e saj.
Premiera ka mbledhur personalitete të jetës kulturore e diplomatike, përfshirë edhe Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Düsseldorf, Behar Isma. Në reagimin e saj, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf e ka cilësuar ngjarjen si një sukses të rëndësishëm për kulturën e vendit.
“Kjo premierë përfaqëson një arritje të rëndësishme për artin dhe kulturën kosovare në skenën ndërkombëtare, duke dëshmuar talentin dhe kontributin e artistëve tanë në institucionet prestigjioze muzikore të Gjermanisë”, shkruhet në postimin e tyre në rrjete sociale. Në dirigjimin e premierës ishte Jonathan Stockhammer, një prej emrave më të njohur të muzikës bashkëkohore në Evropë.
Dirigjenti amerikan është i njohur për interpretimet e repertorit modern dhe për bashkëpunimet me kompozitorë të gjallë, duke ndërtuar një reputacion të veçantë për qasjen e tij eksperimentale ndaj tingullit dhe formave të reja muzikore. Për Anda Kryeziun, kjo premierë përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në një karrierë që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën evropiane.
E lindur më 1993, ajo kreu shkollimin fillor në Gjakovë dhe atë të mesëm në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Në moshën 17-vjeçare u zhvendos në Zvicër për studime në “Hochschule Luzern”, ndërsa kompozimin e studioi në Universitetin e Arteve në Berlin, ku jeton dhe vepron.
Katalogu i saj krijues përfshin vepra orkestrale, opera, muzikë dhome, krijime me elektronikë dhe multimedia, muzikë për teatër, instalacione tingullore dhe projekte eksperimentale.
Në vitin 2024 ajo fitoi Çmimin e Qytetit të Stuttgartit për kompozim me veprën “Infuse: Playtime”, ndërsa po atë vit vepra “The Face of the Other” pati premierën botërore në festivalin “Musik21 Niedersachsen” në Gjermani.
Me “Timestamps – Everything Leaves a Trace”, kompozitorja Anda Kryeziu ka dëshmuar se zotëron aftësinë për të ndërtuar koncepte artistike që komunikojnë fuqishëm me publikun.
