Përgatitjet e kombëtares së Kolumbisë për ndeshjen e dytë në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026 janë penguar nga kushtet atmosferike. Stërvitja e fundit e skuadrës u ndërpre të hënën për shkak të një stuhie të fortë që goditi zonën e Guadalajara-s.
Futbollistët kolumbianë po zhvillonin seancën stërvitore në një qendër sportive të qytetit meksikan, kur stafi teknik u detyrua të urdhëronte ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit dhe zhvendosjen e lojtarëve në ambiente të sigurta. Seanca kishte zgjatur më pak se 30 minuta përpara se kushtet e motit ta bënin të pamundur vazhdimin e saj në fushë.
Sipas njoftimit të federatës kolumbiane të futbollit, lojtarët e përfunduan programin stërvitor në palestër. Ndërkohë, Kongo zhvilloi stërvitjen e saj paradite në Shtetet e Bashkuara, përpara se të udhëtonte drejt Guadalajara-s për ndeshjen e radhës. Përballja mes Kolumbisë dhe Kongos do të jetë ndeshja e dytë e Grupit K në Kupën e Botës 2026.
Kolumbia e nisi turneun me një fitore bindëse 3-1 ndaj Uzbekistanit, ndërsa Kongo mori një rezultat pozitiv duke barazuar 1-1 me Portugalinw e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo. Të dyja skuadrat synojnë një rezultat pozitiv në këtë sfidë, e cila mund të ketë peshë të madhe në garën për kualifikimin në fazën me eliminim direkt të turneut.
