Si u mbyll konflikti me Lively-n? Avokati i Baldoni-t zbulon telefonatën që ndryshoi gjithçka

0%

Pas muajsh përplasjeje ligjore që dominoi titujt e mediave, lufta gjyqësore mes Blake Lively dhe Justin Baldoni mori fund falë një telefonate të papritur. Sipas avokatit të Baldoni-t, Bryan Freedman, gjithçka nisi një të premte në mbrëmje, kur ai mori një telefonatë të papritur nga ekipi ligjor i Blake Lively.

Në atë bisedë u propozua ndërmjetësimi mes palëve, një hap që më pas çoi në marrëveshjen përfundimtare dhe mbylljen e konfliktit që kishte zgjatur për muaj të tërë. Freedman deklaroi se marrëveshja ishte veçanërisht e rëndësishme për klientët e tij, pasi u dha atyre mundësinë të flasin publikisht për vendimet e gjykatës.

Sipas tij, nga 15 pretendime të ngritura fillimisht kundër Baldoni-t dhe bashkëpunëtorëve të tij, dy u tërhoqën vullnetarisht nga pala tjetër, ndërsa 10 nga 13 pretendimet e mbetura u rrëzuan nga gjykata. Përplasja ligjore nisi pas xhirimeve të filmit “It Ends With Us”, kur Blake Lively ngriti akuza për ngacmim seksual, hakmarrje, neglizhencë dhe shkaktim të qëllimshëm të dëmit emocional.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga ana tjetër, Baldoni i mohoi kategorikisht akuzat dhe iu kundërpërgjigj me një padi për shpifje, duke pretenduar se aktorja kishte bërë deklarata të rreme për të rikuperuar imazhin e saj publik pas polemikave që shoqëruan promovimin e filmit.

Avokati i Baldoni-t argumentoi se padia e Lively-t ndikoi ndjeshëm në perceptimin publik ndaj klientit të tij, duke bërë që shumë njerëz ta konsideronin atë fajtor përpara se çështja të shqyrtohej në gjykatë.

Për këtë arsye, ekipi ligjor i aktorit vendosi një strategji të pazakontë: publikimin e dokumenteve, mesazheve dhe email-eve të çështjes, duke u kërkuar njerëzve të krijonin vetë një opinion mbi faktet. Pak javë para nisjes së gjyqit, palët arritën një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke hequr dorë nga pretendimet ndaj njëra-tjetrës dhe nga çdo apel i ardhshëm.

Sipas raportimeve, marrëveshja nuk përfshiu asnjë pagesë financiare nga Baldoni ndaj Lively. Në deklaratën e përbashkët pas marrëveshjes, të dyja palët theksuan se filmi “It Ends With Us” mbetet një projekt për të cilin ndihen krenarë dhe se shpresojnë që mbyllja e konfliktit t’u lejojë të gjithëve të ecin përpara në paqe.

Sipas Freedman, pasojat emocionale të kësaj beteje ligjore ishin të mëdha për Baldoni-n, familjen e tij dhe kompaninë e tij të prodhimit. Megjithatë, ai beson se historia e plotë duhet të tregohet nga vetë aktori, duke lënë të kuptohet se Baldoni mund të flasë publikisht për përvojën e tij në një moment të afërt.

Burimi: Bota Sot