“Vërtetimin e kësaj teoreme e bën realiteti i këtij regjimi aktual politiko-gjyqësor në Shqipëri. Kur korrupsioni, krimi dhe paligjshmëria e pushtetit dhe e drejtësisë kapin shtetin, atëherë ai shtet kriminalizohet dhe funksionon si shtet antiligj, antisocial dhe si antishtet. Krim është korrupsioni.
Krime janë krimet gjyqësore, vendimet e të cilave i jep ryshfeti, paligjshmëria dhe tregtimi e shitja e drejtësisë; krime janë trafikimi i qenieve njerëzore, kultivimi dhe trafikimi i drogës; krime janë trafikimi i votës, shitblerja e saj që quhet krim elektoral; krim është krimi urban me lejet abuzive dhe korruptive të ndërtimit; krim janë shkatërrimi dhe rrënimi i territorit, pyjeve, ndotja e mjedisit dhe e ujërave; krime janë papërgjegjshmëria e pushtetit, prej së cilës shqiptarët vuajnë varfëri e papunësi; krim është vjedhja dhe abuzimi me paranë publike; krim është eksodi dhe largimi i shqiptarëve nga atdheu, të detyruar nga krimet, korrupsioni, pasiguria, varfëria, papunësia dhe prej pasigurisë për jetën, punën, biznesin dhe pronën.
Krim është pazari me interesat publike e kombëtare; pazari me detin, trojet dhe territoret shqiptare, të cilat përbëjnë krime e tradhti të lartë kombëtare. Autorë të të gjitha këtyre krimeve janë politika, pushteti dhe drejtësia, pasi ato janë të korruptuara e të kriminalizuara. Autorë janë antishteti, antiligji dhe krimi i tyre, që kanë kapur dhe rrënuar shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Padrejtësitë janë e keqja më e madhe ku bie shteti. Prej krimit, prej padrejtësisë falimentojnë shteti dhe shoqëria, pasi prej padrejtësisë, prej abuzimeve të qeveritarëve, politikanëve, pushtetarëve dhe gjyqtarëve prishet dhe shkatërrohet edhe moraliteti njerëzor.
Shteti funksionon si shtet antihuman dhe kriminal edhe për meritë të popullit të atij shteti, kur ai komunitet pajtohet, nuk reziston dhe nuk ndëshkon pabesinë dhe tradhtinë, kur ai komunitet i atij shteti nuk ndëshkon të keqen dhe kur duron padrejtësitë.
Në një komunitet të tillë vegjeton, ndërrohet, vjen e ikën, ciklohet e riciklohet gjithnjë pushtet e politikë e keqe dhe politikë e pushtet i regjimit të krimit e korrupsionit, pavarësisht emërtimeve të regjimit e sistemit, qoftë ai diktaturë apo demokraci.
Në këto kushte e gjendje ku bie shteti dhe, për pasojë, vuajnë dhe pësojnë individi dhe shoqëria, gjë që vjen edhe si meritë e vetë atij komuniteti apo populli të atij shteti, atëherë njerëzit shpresën, lirinë, drejtësinë dhe sigurinë i kërkojnë në vendet dhe shtetet e huaja; pra, si shpëtim ata shohin eksodin në kërkim të një shteti tjetër, i cili ka dhe zbaton ligje të mira për jetën, punën, sigurinë, mirëqenien, arsimin, shëndetësinë, lumturinë dhe lirinë.
Shteti është agjencia dhe pronari i lirive dhe i të drejtave të njeriut, qytetarit dhe të shoqërisë. Shteti normal, ligjor, demokratik e modern është dhe u shërben të mirave politike, ekonomike, materiale, intelektuale, arsimore, shëndetësore dhe lumturisë shpirtërore të anëtarëve të shoqërisë; shteti mbron liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të shoqërisë, mbështetur në ligj kundër çdo lloj dhune, krimi, korrupsioni dhe arbitrariteti.
Shteti jo i tillë dhe shteti i kundërt me atë që duhet të jetë është një shtet antinjerëzor dhe kriminal, sepse nëse shteti nuk është pronar dhe nuk mbron liritë e të drejtat e qytetarit dhe të shoqërisë, atëherë ai është një shtet xhungël, ku ligjin e bëjnë më të fortët, antiligji dhe krimi.
Kur shteti zhvishet nga roli i pronarit të lirive dhe të drejtave të njeriut, atëherë pronarë të shtetit dhe të lirive qytetare e shoqërore bëhen më të fortët; bëhen pushteti i krimit, dhuna, korrupsioni, arbitrariteti dhe padrejtësia. Në literaturën moderne dhe demokratike një shtet i tillë quhet shtet i kapur nga pushteti, krimi dhe korrupsioni.
Dhe pyesim publikun se cili shtet funksionon sot në Shqipëri dhe në Kosovë: shteti, pronar dhe mbrojtës i lirive dhe i të drejtave të njeriut e të shoqërisë, shteti popullor, neutral dhe ligjor, apo shteti “privat”, i kapur dhe i “pronësuar” nga politika, padrejtësia, pushteti, korrupsioni, hajnia dhe krimi?!
Shtet i tillë është Shqipëria, por edhe Kosova, sepse realiteti e provon dhe e vërteton këtë fakt, pasi ato sundohen dhe qeverisen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, gjë e cila është pengesa kryesore dhe shkaku i mosintegrimit të të dy shteteve në BE. Janë shtete të tilla që funksionojnë si shtete kriminale, sepse janë shtete joligjore, ku nuk qeveris dhe as nuk sundon ligji.
Janë të tilla sepse mbi 90% e popullsisë së të dy shteteve nuk kanë besim te drejtësia, janë të pashpresë dhe të pasigurt ekonomikisht, juridikisht dhe madje as fizikisht, sepse drejtësinë, krimin, shtetin, ekonominë, drogën, paranë e pistë, pasuritë kombëtare dhe korrupsionin e hajdutërinë i kanë në dorë më pak se 10% e popullsisë; pra i kanë politika, politikanët, bizneset e tyre dhe korporata kriminale e drejtësisë.
E kanë pushtetin dhe të drejtën për t’u zgjedhur deputetë e pushtetarë ata me rekorde krimi, korrupsioni, tradhtie dhe hajdutërie, ku asnjëri prej tyre nuk është ndëshkuar nga drejtësia, pasi edhe drejtësia, ashtu sikurse edhe liria politike, janë të drejta pikërisht për këta të tillë me rekorde krimi e korrupsioni, hajdutërie, mashtrimi, tradhtie dhe të parasë së pistë etj.
Shtetet e falimentuara juridikisht janë ato shtete ku ligjin dhe drejtësinë e bëjnë liria politike dhe juridike e krimit, korrupsionit dhe tradhtisë, dhe në të tilla kushte shteti vepron dhe sillet si shtet kriminal, pasi është kapur prej krimit dhe korrupsionit politik e juridik.
Prej këtij realiteti shqiptarët ikin dhe largohen nga atdheu për t’i shpëtuar padrejtësive politike, gjyqësore, ekonomike dhe shoqërore. Dt. , nxjerrë nga libri im me titull “Pesë letra drejtuar Kombit”.
