Shpërndaje në: Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do t’i fillojë komunikimin me partitë tjera, posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit. Ai u është përgjigjur shkurt gazetarëve pas hapjes së Edicionit të 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”.
“Po sa të certifikohet rezultati do t’i fillojmë komunikimet menjëherë”, ka thënë shkurt Kurti. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor para se t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të nxirren nga institucionet përkatëse. Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti fitoi sërish shumicën mes partive shqiptare në Kuvend, duke marrë 53 deputetë. PDK-ja pati 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
