Erling Haaland ka firmosur një tjetër mbrëmje si protagonist absolut, duke udhëhequr Norvegjinë me një dopietë në fitoren 3–2 ndaj Senegalit. Një fitore me peshë historike që i dha Norvegjisë kualifikimin në raundin e radhës të Botërorit, pas 28 vitesh mungesë. Një faqe e re historie që mban, sërish, firmën e tij.
Katër gola në dy ndeshje në këtë Botëror, katër realizime të ndryshme në ekzekutim dhe kohëzim, sikur për t’i kujtuar botës se nuk ekziston një mënyrë e vetme për ta ndalur. “Besoj se specialiteti im është të shënoj gola. Jam thjesht i mirë në këtë gjë dhe ndonjëherë kam edhe pak fat. Po, po bëjmë diçka speciale.
Norvegjia po shkruan histori dhe jam shumë krenar që jam norvegjez”, tha Erling Haaland. Fjalë të thjeshta, por që tregojnë një vetëdije gjithnjë e më të madhe: atë të një sulmuesi që nuk po shënon vetëm gola, por po tërheq pas vetes një komb të tërë drejt një ëndrre. Edhe trajneri Ståle Solbakken vuri në dukje momentin e jashtëzakonshëm dhe peshën e yllit të tij.
“Është më e lehtë të fitosh Këpucën e Artë kur luan për Francën apo Argjentinën, por ne do të përpiqemi t’i japim Haaland më shumë mundësi dhe mbështetje. Ai është në një formë të jashtëzakonshme”, u shpreh Ståle Solbakken. Rreth tij, megjithatë, po formohet edhe një fenomen që shkon përtej fushës së lojës.
Në SHBA, ku Kupa e Botës është kthyer në një spektakël global, 25-vjeçari është shndërruar shpejt në një ikonë pop: gjiganti i Veriut, “vikingu modern” i përqafuar nga publiku, simboli perfekt i një narrativi që ndërthur sportin, argëtimin dhe mitin. Dhe ndoshta është pikërisht kjo dimension i dyfishtë që e bën edhe më të veçantë.
“Viking Row” pas fitores ndaj Senegalit nuk ishte thjesht festë, por një deklaratë qëllimi, një ekuipazh që lundron në të njëjtin drejtim drejt brigjeve të reja ende të panjohura. Norvegjia tashmë ka bërë histori duke u kthyer në Kupën e Botës pas gati tre dekadash. Por ndjesia, duke parë Haaland, është se historia nuk ka përfunduar aspak. Përkundrazi, sapo ka nisur.
