Erling Haaland ka refuzuar të flasë për Norvegjinë si pretendente për triumfin në Kupën e Botës 2026, pavarësisht fillimit mbresëlënës të skuadrës së tij në turne. Sulmuesi norvegjez realizoi dy gola në fitoren 3-2 ndaj Senegalit, duke e ndihmuar kombëtaren e tij të sigurojë kualifikimin në fazën eliminatore për herë të parë që nga viti 1998.
Dy golat e shënuar e çuan Haalandin në kuotën e katër realizimeve në këtë Botëror, duke u barazuar me Kylian Mbappe dhe duke mbetur vetëm një gol prapa Lionel Messit në garën për “Këpucën e Artë”. Megjithatë, ylli i Manchester Cityt ka preferuar të mbetet me këmbë në tokë. “Franca? Nuk më intereson, ne jemi kualifikuar. Ata ndoshta do të na mposhtin dhe do ta fitojnë të gjithë turneun”.
Norvegjia dhe Franca kanë nga gjashtë pikë pas dy ndeshjeve dhe do të përballen të premten për vendin e parë në grup. Kur u pyet nëse ky mund të jetë Botërori i tij, 25-vjeçari bëri dallimin mes suksesit aktual dhe ëndrrave më të mëdha. “Varet se çfarë nënkupton me këtë. Të kualifikohesh në Kupën e Botës për herë të parë pas 28 vitesh dhe të kalosh fazën e grupeve?
Po, do të thosha se është Botërori im”. “Të fitojmë Kupën e Botës? Absolutisht jo. Mendoj se duhet të jemi pak realistë dhe të gëzohemi. Çdo norvegjez në planet duhet të jetë i lumtur sot”.
Atmosfera festive rreth suksesit të Norvegjisë ishte e dukshme edhe para ndeshjes, kur tifozët norvegjezë u mblodhën në Times Square dhe tërhoqën vëmendjen e amerikanëve me festimin e tyre të famshëm me lëvizjen e vozitjes. Pas fitores ndaj Senegalit, lojtarët e Norvegjisë e përsëritën të njëjtin festim në fushë. “Ishte e çmendur.
Martin Odegaard dhe unë folëm pak para ndeshjes nëse duhej t’i bashkoheshim festimit nëse gjithçka do të shkonte sipas planit. Dhe kështu ndodhi. Ishte një moment shumë i veçantë për të gjithë Norvegjinë”. Sulmuesi pranoi se kjo është një nga netët më të mëdha të jetës së tij. “Mendoj se është ndër netët më të mëdha që kam përjetuar ndonjëherë.
Kam të njëjtën ndjesi që kisha pas finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2023. Është diçka gjigante. Jam jashtëzakonisht krenar”. “Dua të arrij gjëra me Norvegjinë. Dua të kualifikohem në Kupën e Botës, në Kampionatin Evropian dhe në çdo turne të mundshëm. Kjo tregon se gjithçka është e mundur, pavarësisht se nga vjen. Kupa e Botës është pa dyshim skena më e madhe.
Është fantastike”, përfundoi Haaland./ Telegrafi
